Ekonomia shqiptare “rrënohet” tre muajt e parë, COVID-19 tkurr me 2.52% rritjen saj

schedule14:06 - 30 Qershor, 2020

schedule 14:06 - 30 Qershor, 2020

Ekonomia shqiptare ka pësuar një tkurrje të fortë në tre mujorin e parë të këtij viti. Tërmeti i fund vitit 2019 dhe pandemia duket se kanë dhënë efektet e para negative  në ecurinë ekonomike. Mbyllja e bizneseve gjatë pjesës së dytë të marsit ka shkaktuar një goditje në pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë.

INSTAT ka publikuar të dhënat që tregojnë se ekonomia shqiptare pësoi një rënie me 2.52%.Në tremujorin e dytë situata parashikohet të jetë edhe më e zymtë pasi aktiviteti ekonomik ka qenë i pezulluar. Vetëm bujqësia duket se ka vijuar të performojë pozitivisht dhe nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë ka pasur një rritje me 3,41 %.

Ndërkohë që aktiviteti i ndërtimit rezulton me rënin më të fortë nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë me 16,66 % e ndjekur nga Industria nxjerrëse e cila ka shënuar një rënie me 13.31 % .

Sipas INSTAT një pezullim të  veprimtarisë ka pasur edhe  grupi i aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative si aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit.

Po ashtu gjatë kësaj periudhe rezulton se ka pasur një ngadalësim edhe të konsumit ndërsa  eksportet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 2,13 %.

Vlerësimet ndërkombëtare parashikojnë që pandemia do të ndikojë në një tkurrje të ekonomisë e cila do të variojë nga  5% deri në 9%.