Lideri i opozitës Lulzim Basha ka vijuar ditën e sotme një takim me taksistët në Tiranë, duke u njohur me problematikat e tyre.
Basha teksa prezantoi planin me 5 pika për rimëkëmbjen e ekonomisë, u shpreh se qeveria nuk ka asnjë plan për të nxjerrë vendin nga kriza.
“Ekonomia po nxjerr tym dhe këta nuk lëvizin gishtin. Detyra ime sot është që në këto 6 muaj ekonomia të mos bjerë në gropë.
95% e ekonomisë përbëhet nga biznesi i vogël, por sot ka nevojë për ndihmë. Këto janë ditët e fundit të dikujt që ka konsumuar çdo besim. Masat që unë propozoj janë masa që ndihmojnë njeriun e thjeshtë, që zhvillojnë ekonominë”, u shpreh Basha.
Gjithashtu në një komunikim për gazetarët, Basha deklaroi se problemi më i madh që kanë taksistët është trajtimi i padrejtë që u bëhet.
“Çmimi i karburantit, trafiku i rritur, detyrimet që duhet të paguajnë shkojnë 1,5-1,6 milion lekë të vjetra në vit. Problemet e taksistëve sot janë problemet e tyre gjithë sipërmarrjeve të vogla. Nëse hiqet dorë nga vjedhja edhe sipërmarrja mund të ndihmohet. Plani ynë me 5 pika për këto 6 muaj bën të mundur që buxheti ekonomik të shkojë atje ku kanë më shumë nevojë shqiptarët.
Premtime të pambajtura të kësaj qeveria ka kaq shumë. Të gjithë e kuptojnë se i gjendur përballë një bilanci negativ, ky nuk ka asnjë rrugëdalje përveçse të përsërisë premtimet e pambajtura. Nuk mendoj se shqiptarët sot presin të dëgjojnë premtime të tjera që kanë 7 vite që nuk i mbajnë”, tha Basha.
Sakaq ai shtoi: Me taksën më të ulët ekonomia zhvillohet më shpejt, rritet xhiro dhe zhvillohen të ardhurat.
/abcnews.al/