Ekonomia globale në kaos, as Trump dhe as Biden nuk mund të bëjnë asgjë

schedule15:05 - 20 Nëntor, 2023

schedule 15:05 - 20 Nëntor, 2023

Nga Matthew Lynn, The Telegraph

Siç është pare në këto 3 vite, “Bidenomics”, politikat ekonomike të Joe Biden do të vazhdojnë të shoqërohen me subvencione të mëdha federale që u shpërndahen kompanive, dhe kjo do të ndodhë me një mbikëqyrje shumë të vogël, gjë që do të sjellë një rritje të madhe të borxhit.

Ose amerikanët mund të zgjedhin atë që quhet në media “Trumponomics Mach II”, planin e ri ekonomik të ish-presidentit që këtë herë do të udhëhiqet jo nga uljet e taksave dhe reduktimi i rregulloreve mbi biznesin, por nga një tarifë e tmerrshme prej 10 për qind për të gjitha importet.

Por kur ka mbetur më pak se një vit nga zgjedhjet e reja presidenciale, perspektivat për pjesën tjetër të botës janë dukur rrallëherë kaq shumë të zymta. Është e vërtetë se në skenë janë ende disa kandidatë të arsyeshëm, si për shembull Nikki Haley, ylli në ngjitje i fraksionit të Reganistëve në Partinë Republikane.

Por në realitet, në kushtet kur ekonomia globale është në prag të një recesioni të ri, po bëhet e qartë se as Biden dhe as Trump nuk mund ta shpëtojnë atë nga humnera. Dhe për fat të keq duken të pakta, shanset që një kandidat tjetër ta sfidojë këtë dyshe në garën për në Shtëpinë e Bardhë.

Zgjedhja me të cilën përballen votuesit amerikanë vitin e ardhshëm, mund të jetë më  dëshpëruesja prej të paktën një shekulli. Një president dukshëm i dobët si Joe Biden ka filluar të mbrojë programin e tij ekonomik, duke premtuar të përforcojë strategjinë e tij mbi industrinë nëse fiton edhe një mandat tjetër 4-vjeçar për të qëndruar në Shtëpinë e Bardhë.

 

Por problemi është se “Bidenomics” ka filluar që të fusë ujë. Shkalla e subvencioneve për ri-industrializimin e ekonomisë amerikane dhe kalimin tek energjitë alternative jo ndotëse, po del jashtë kontrollit. Fatura totale mund ta kalojë lehtësisht pragun 1 trilionë dollarë.

Për shkak se pjesa më e madhe e saj është në formën e kredive të pa garantuara, ajo është e hapur dhe askush nuk mund të jetë i sigurt për koston përfundimtare. Në nivelin prej më shumë se 6 për qind të PBB-së, deficiti është ende shqetësues dhe ka rënë vlerësimi për SHBA-në në këtë aspekt.

Vendi po mbytet në borxhe, dhe plani i vetëm i Biden, duket se është të marrë edhe më shumë hua. Nëse fiton një mandat të dytë, me siguri që ai do të përballet me pasojat e rënda. Por pikërisht këtu qëndron problemi.

As një presidencë e dytë e Donald Trump nuk premton ndonjë gjë më të mirë. Me gjithë kritikat e justifikuara për menaxhimin e tij kaotik të Shtëpisë së Bardhë gjatë mandatit të tij të parë, platforma ekonomike e “Trump Mach I” solli rritje ekonomike dhe jo pak vende të reja pune.

Ai reduktoi normat e larta jo-konkurruese të taksave mbi korporatat në SHBA (Biden dëshiron t’i rrisë ato), rikrijoi zonat të lira ekonomike, të cilat ndihmuan në rigjallërimin e zonave urbane të shkatërruara, dhe nisi një luftë kundër burokracisë, që ishte të paktën pjesërisht e suksesshme në heqjen e rregullave që po mbysnin sipërmarrjen.

Ishte një rekord i mirë. Mandati i dytë do të jetë ndryshe. Plani kryesor i Trump është një tarifë universale prej 10 për qind për të gjitha importet, një lëvizje shumë shqetësuese për ata që besojnë në ekonominë e tregut të lirë. Një luftë tregtare në atë shkallë do të kishte pasoja katastrofike, edhe për ekonominë britanike, duke qenë se SHBA-ja është vendi ku ne eksportojmë më shumë. SHBA-ja është ndërkohë importuesi më i madh në botë i mallrave dhe shërbimeve, me një diferencë shumë të madhe.

Importet e saj arrijnë rreth 4 trilionë dollarë në vit, shumë përpara Kinës me 3 trilionë dollarë dhe Japonisë (më më pak se 1 trilionë dollarë). Tarifat që planifikon të rivendosë Donald Trump mund të shkaktojnë atë lloj rënieje të tregtisë globale që bota nuk ka e parë që

nga vitet 1930.

Edhe nëse tarifa do të ishte për aktivitetin tregtar brenda vendit, s’ka dyshim se kjo lëvizje do të ishte e tmerrshme për partnerët kryesorë tregtarë të Amerikës. Në kohët moderne nuk ka pasur asnjëherë një grup kaq të dobët kandidatësh.

Dhe kjo në një kohë kur ekonomia globale po rritet ngadalë, madje shumë ngadalë duke mos e përballuar ritmin me të cilin po rritet borxhi i qeverive. Evropa po zhytet tashmë në një recesion, me në krye një ekonomi gjermane e cila ka ngecur me një model biznesi që po has shumë vështirësi tani që nuk ka më në dispozicion energjinë e lirë ruse. Edhe Kina po has shumë pengesa për shkak të një trashëgimie të investimeve të tepruara, dhe ka pak shenja se ajo do të jetë në gjendje të arrijë sërish nivelin e rritjes që pati pas krizës financiare globale të viteve 2008-2009.

Ndërkohë, tregjet financiare botërore po përpiqen të përshtaten me normat e interesit 5 për qind ose më tepër. Megjithëse mund të ketë rënë, inflacioni mbetet ende shumë mbi objektivat e bankës qendrore të SHBA-së.

Nga fituesit e mundshëm në presidencialet e vitit të ardhshëm, kandidatja republikane Nikki Haley duket si shpresa më e mirë për të ndryshuar dukshëm këtë gjendje. Ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut po rritet ndjeshëm në sondazhe dhe po ashtu po merr disa donacione serioze nga Wall Street.

Investitori miliarder Stanley Druckenmiller, një kontribues i madh në Partinë Republikane, ka shpallur hapur mbështetjen e tij për Haley, dhe po u kërkon republikanëve të tjerë që të grumbullohen rreth saj. Nikki Haley mori së fundmi pjesë në një takim, ku ishte i pranishëm kreu ekzekutiv i BlackRock, Larry Fink.

Ndërkaq thuhet se ajo ka marrë privatisht edhe mbështetjen e shefit ekzekutiv të gjigantit JPMorgan Chase, Jamie Dimon. Nuk është e vështirë të kuptohet arsyeja pse paratë e kolosëve të biznesit po zhvendosen drejt saj. Haley mund të jetë për momentin shumë prapa Trump në sondazhe, në fakt edhe pas Ron De Santis.

Por ajo është përpara Joe Biden në shtetet që cilësohen si përcaktuese të garës elektorale.

Politikat e saj ekonomike, premtojnë një kthim tek republikanizmi tradicional. Haley dëshiron që t’i japë përparësi kontrollit të deficitit buxhetor, të anulojë subvencionet e pamenduara për “industritë e gjelbra”, dhe të ndihmojë bizneset e vogla dhe sipërmarrësit. Axhenda e saj mund të mos jetë origjinale, por është ajo që i duhet motorit të ekonomisë botërore. PBB-ja globale për këtë vit pritet të rritet me vetëm 3 për qind. Sipas FMN-së, ajo do të bjerë në 2.9 për qind në vitin 2024. Ndërkohë, rritja mesatare e ekonomisë globale ishte 3.8 për qind gjatë viteve 2000-2019.

Ne kemi nevojë për një përshpejtim të rritjes ekonomike të SHBA-së, me kushtin që ajo të mos shoqërohet me barriera tregtare në rritje. Prandaj duhet të shpresojmë që idetë e Haley-t të gjejnë gjithnjë e më shumë mbështetje brenda partisë së saj, edhe nëse nuk do të realizohen ambiciet e saj presidenciale. As Biden dhe as Trump nuk duket se dinë se si ta zhvendosin ekonominë nga pragu i humnerës ku ndodhet aktualisht, dhe mjerisht askush tjetër nuk duket se do të ketë shansin ta bëjë këtë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!