Jostabiliteti dhe konfliktet duhet të marrin fund në Kosovë pasi po ndikojnë në ekonominë e vendit. Shqetësimi ngrihet nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë e cila vlerëson përpjekjet për përshpejtimin e rritjes ekonomike, por shton se janë të pamjaftueshme për ta bërë atë të qendrueshme.
Imazhi i Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe mungesa e promovimit të saj për thithjen e investitorëve të huaj e bën të pamundur transformimin ekonomik të vendit, thotë Oda Amerikane përmes një deklarate.
“Raporti i fundit i Grupit Ndërkombëtar të Krizave i cili përmend Kosovën si njërën nga dhjetë vendet me rrezik për konflikt vdekjeprurës ose eskalim gjatë vitit 2024, rëndon më tej perceptimin negativ mbi Kosovën, e që pamundëson tërheqjen e investimeve cilësore të huaja. Institucionet e Kosovës duhet të kuptojnë rëndësinë e përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë, si thirrje e vazhdueshme edhe e partnerëve strategjikë ndërkombëtarë të Kosovës”.
Ndër të tjera, Oda Amerikane thotë se vendi duhet të heqë dorë nga barrierat tregtare për ti dhënë mundësi të qaset në tregje më të mëdha dhe të përfitojë ekonomikisht.
Kapërcimi që ka bërë vendi këto vite i atribuohet edhe bashkëpunimit me aktorët ndërkombëtare shton Oda M, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, duke vënë theksin edhe te situata e fundit e krijuar me vendimin e fundit për heqjen e dinarit si mjet pagese.
“Bashkërendimi i mëtejmë i të gjitha synimeve që kanë për qëllim fuqizimin e subjektivitetit të Kosovës duhet vijojë të bëhet në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar, e kjo përfshin edhe zbatimin e Rregullores së miratuar së fundmi nga Banka Qendrore e Kosovës për Operacionet me Para të Gatshme, si dhe kërkesa për shtyrjen e dispozitave të saj të caktuara, me qëllim të lejimit të përgatitjeve të nevojshme për zbatim dhe eliminimit të pasojave të mundshme negative”.
Dialogu publik-privat nënvizon Oda Amerikane është i rëndësishëm për rritjen e besimit dhe vazhdimësinë e reformave ekonomike./abcnews.al