Garde Bregdetare e Shteteve të Bashkuara, ka thënë se pesë personave që janë në nëndetësen e zhdukur në Oqeanin Atlantik, u ka mbetur oksigjen vetëm edhe për 40 orë.
Nëndetësja e zhdukur i dërgon turistët në zonat e thella të Atlantikut për t’i parë pjesët e fundosura të Titanikut, shkruan REL.
Kapiteni amerikan, Jamie Frederick, ka thënë se supozohet se në nisje, nëndetësja Titan mund të ketë pasur rezerva oksigjeni për 96 orë.
Nëndetësja e ka humbur komunikimin me operatorët të dielën, kur ka qenë në zonën jugore të Njufaundllendit në Kanada.
Në nëndetëse janë miliarderi britanik, Hamish Harding dhe katër pasagjerë tjerë.
Kompania OceanGate që mundëson këtë udhëtim, u kërkon pasagjerëve 250.000 dollarë për t’i parë nga afër pjesët e fundosura të anijes së famshme.
Pjesëmarrësit udhëtojnë rreth 595 kilometra me një anije të madhe, përmbi Titanik, dhe më pas e nisin një zhytje tetëorëshe me nëndetësen Titan, për të arritur në thellësi.