Ekipi i Kosovës shpëton edhe dy qytetarë të tjerë në Turqi

schedule15:22 - 13 Shkurt, 2023

schedule 15:22 - 13 Shkurt, 2023

TURQI- Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë arritur të nxjerrin të gjallë nga rrënojat e ndërtesave në Turqi edhe dy persona të tjerë. Sipas njoftimit, në bashkëpunim me ushtrinë turke, 160 orë pas tërmeteve shkatërruese, FKS-ja ka nxjerrë një 45-vjeçar, dhe pas 162 orëve një vajzë 13-vjeçare.

“Edhe pse kanë kaluar shumë orë kërkimi, ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë të motivuar dhe po japin gjithë energjinë e tyre për të shpëtuar jetën e njerëzve që janë nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, e cilësoi si “lajm të mrekullueshëm” shpëtimin e dy personave nga pjesëtarët e FSK-së në Hataj.

“Shpresojmë se orëve në vijim pjesëtarët tanë të FSK-së të gjejnë edhe të tjerë të mbijetuar nën rrënojat e krijuara pas këtij tërmeti të tmerrshëm”, shkroi ai në Facebook.

Pas tërmeteve vdekjeprurëse të 6 shkurtit, që goditën Turqinë dhe Sirinë, drejt Turqisë u nis një kontingjenti i FSK-së që përbëhet nga specialistët e kërkim-shpëtimit urban, personel mjekësor ushtarak dhe qen të kërkim-shpëtimit. Më 8 shkurt, në qytetin Hataj, pjesëtarët e FSK-së arritën të shpëtonin një fëmijë 2-vjeçar dhe nënën e fëmijës.

Me kalimin e orëve, ulen shpresat për gjetjen e njerëzve të gjallë pasi kanë kaluar shtatë ditë nga tërmeti  shkatërrues. Deri tani, sipas raporteve shtetërore raportohen mbi 36 mijë viktima dhe shumë të tjerë të plagosur./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!