Kualifikimi nuk është aspak i sigurt, por suksesi ishte domethënës. Egnatia arriti një fitore shumë të rëndësishme në ndeshjen e parë të turit të parë eliminator në Champions, që mund ta ndihmojë të kalojë në të dytin.
Skuadra nga Rrogozhina mundi 1-0 në shtëpi rivalin nga Islanda, Breidablik, ndërsa goli u shënua vetëm në fund. Autor i tij ishte Ildi Gruda, i cili hyri në fushë në minutën e 77-të, pra iu deshën vetëm 15 minuta për të tundur rrjetën.
Ky lojtar ishte shkak i një konflikti këto ditë mes Egnatias dhe ish-ekipit të tij, Vllaznisë së Shkodrës. Kampionia e Shqipërisë luajti më mirë sesa kundërshtari nga Islanda, duke krijuar më shumë raste, por duke shënuar vetëm një gol, dhe për fat të keq, e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë.
Regi Lushkja nuk do të luajë në sfidën e dytë për shkak të kartonit të kuq, edhe pse ishte zëvendësuar më herët. Po ashtu, rrogozhinasit me shumë mundësi nuk do të kenë as Ndrecën në duelin tjetër, sepse futbollisti u dëmtua. Ndeshja e kthimit do të luhet në Islandë në 15 korrik./abcnews.al

