Egnatia “godet” në Shkodër/ Kampionët fitojnë duelin direkt për titull ndaj Vllaznisë

schedule12:44 - 27 Janar, 2025

schedule 12:44 - 27 Janar, 2025

Këto suksese vlejnë për trofe.

Një fenomen i ri është shfaqur në futbollin shqiptar, me emrin Egnatia, e që duket se ka përmbysur hierarkinë e dikurshme.

Skuadra nga Rrogozhina, kampione në fuqi e vendit, dha një tjetër provë të forcës së saj duke fituar një duel direkt për titull, e madhe në fushë kundërshtare.

Përballja ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi” përfundoi 2-0 për miqtë, ndonëse ishte shumë e fortë dhe pati polemika.

Egnatia realizoi që në 18’ me një penallti që u gjuajt saktë nga Regi Lushkja.

Më pas pati raste nga të dyja skuadrat, dhe fitoi ai ekip që gaboi më pak.

Gjithsesi, Vllaznia pretendoi për penallti në 76’, dhe arbitri e akordoi 11-metërshin, por më pas e anuloi pasi u këshillua me pamjet filmike në VAR.

Dy ekipet patën edhe pretendime të tjera, qoftë për penallti, qoftë për karton të kuq, por asgjë tjetër nuk pati.

Në fund, Zejnullai shënoi nga jashtë zone për 2-0, dhe trajneri Edlir Tetova padyshim që ishte i kënaqur.

Në ndeshjen tjetër të kësaj jave, Laçi fitoi pas 9 muajve jashtë fushe.

Kurbinasit ia dolën 2-1 në Elbasan duke pasur tani 23 pikë në vendin e katërt nga fundi, ndërsa elbasanasit iu larguan katërshes së parë.

Pas 22 javëve, Egnatia kryeson me 39 pikë, Partizani e Dinamo kanë nga 38 dhe Vllaznia 37 pikë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!