Një shpërthim që kishte si objektiv një autobus turistësh ka lënë të plagosur të paktën 16 persona në afërsi të Muzeut të Madh të Egjiptit. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, shumica e të lënduarve janë turistë të huaj.
Pajisja me eksploziv ishte vendosur pranë gardhit të muzeut dhe shpërtheu kur autobusi po kalonte. Bëhet fjalë për incidentin e dytë ndaj turistëve që ndodh në Egjipt brenda 6 muajsh.
Në Dhjetor, tre shtetas vietnamezë dhe një guidë turistike lokale u vranë pasi një bombë e vendosur anës rrugës u aktivizua teksa kalonte autobusi i tyre. Të plagosurit këtë të dielë për fat të mirë nuk kanë marrë plagë të rënda.
Turizmi është një sektor kyç për ekonominë egjiptiane, me punonjësit e hoteleve, guidat turistike, shoferët e taksive dhe shitësit ambulantë që sigurojnë jetesën përmes tij./ABC News Albania 24/7