Tirana e nisi mbarë sezonin e ri, duke fituar me shifrat 4-1 ndaj Shkumbinit dhe u kualifikuar në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, ku do ndeshet me Korabin në shtëpi. Edhe pse me shumë mungesa, bardheblutë arritën të gjejnë triumfin dhe golat e gjithçka shkoi mirë ndaj peqinasve. Mbetet për tu parë nëse do ndodhë kjo ndaj një kundërshtari si Kukësi të mërkurën.
Në një intervistë në emisionin ”Zona Gol” Egbo konfirmon mungesën e plot pesë titullarëve, flet për merkaton, dënimet e Torasës e Bathës dhe sulmuesin Avdijaj, që ka luajtur shumë pak që nga ardhja e tij dhe nuk ka bindur ende tifozët dhe stafin teknik.
MUNGESAT- “Nuk besoj te një lojtar, por te grupi, pasi vetëm kështu mund të arrish te titulli. Kemi 5 mungesa në fillimin e kampionatit. Cale, Torassa, Batha, Ismajlgeci dhe Toshevski nuk do të jenë, por mendoj se lojtarët që kemi do t’i zëvendësojnë këto mungesa. Besoj se forca e grupit e bën një skuadër dhe një lojtar. Çdo ekip që ka mungesa në sulm ka vështirësi, por nëse çdo skuadër që ka harmoni arrin te rezultatet pozitive”.
KRAHASIMI ME SEZONIN E SHKUAR – “Kam shumë besim te lojtarët që kemi dhe nëse do të jemi me grupin e plotë do të jemi më mirë. E kemi treguar në ndeshjet e Europës e të gjithë shqiptarët kanë parë një ekip, që ka vrapuar shumë dhe kanë ndihmuar njëri-tjetrin”.
ARDHJET E REJA – “Duke parë lojtarët që janë afruar si Toshevski, Najdovksi apo Danso e të gjithë me radhë duan kohën e vet për t’u ambientuar me skuadrën. Ndeshjet në kampionat do të tregojnë se çfarë ndryshime do të kemi nga sezonin i kaluar, pasi nuk mund ta them unë tani se çfarë diferencash do të kemi”.
DËNIMI I BATHËS DHE TORASËS – “Mund t’i ndodhi çdo lojtari në botë. Një lojtar, që ka karakter dhe që nuk do të humbasë as një ndeshje miqësore për mua është diçka pozitive. Nëse kanë vepruar mirë apo keq duhet të flasim me lojtarët që të mos ta përsërisin më. E shikoj nga ana pozitive që ata janë mërzitur sepse nuk kanë dashur ta humbasin ndeshjen miqësore. Është mësim i madh për ata dhe çdo lojtar tjetër që nuk duhet të bëjnë gjeste të tilla”.
AVDIJAJ – “Është aktivizuar sot dhe ka qenë i dëmtuar, prandaj nuk është aktivizuar në ndeshjet miqësore. Ka bërë stërvitje të plotë me grupin dhe nuk ka asnjë çështje Avdiaj te Tirana. Ne e dimë se në ç’gjendje janë lojtarët, ndryshe nga ata nga jashtë që thonë se ka çështje te Tirana”.
MERKATO – “Për merkaton kemi pasur mundësi për të marrë lojtarë të tjerë, por tani kemi këta lojtarë dhe duhet kohë që ata të jenë gati”.
MODULI – “Sistemi që do të luajmë do të varet nga lojtarët që do të kemi. Unë mendoj se një skuadër nuk ka vetëm një sistem, por 2 apo 3. Çdo ndeshje ka specifikën e vet dhe ne do t’i marrim ndeshje një e nga një. Kur ne bëjmë formacionin, shikojmë shumë aspekte, jo vetëm fizike, por edhe psikologjike. Një lojtar mund të jetë i mirë fizikisht, por nëse nuk është gati psikologjikisht për të përballuar një ndeshje nuk e fusin në fushë”.
PRETENDETËT PËR TITULL – “Mendoj se të gjitha skuadrat janë pretendente. Të gjitha ekipet që morën pjesë në Europë apo Partizani dhe Vllaznia do të jenë skuadra që do të luajnë fort. Për mua nuk ka ekipe të lehta apo të forta, por janë të gjitha njësoj. Kampionati shqiptar ka treguar se ajo skuadër që do të jetë e përqendruar deri në fund do të dalë kampion”.
KUKËSI – “Ata kanë ndryshuar dhe unë po e diskutoja me një shok që Tirana ka ndryshuar, por te Kukësi ka ngelur vetëm një lojtar. Tirana për mua ka bërë pak ndryshime në merkato. Toshevski, Najdovski, Danso mendoj se mund të ambientohen më shpejt se të tjerët. Nuk kemi mundësi për të luajtur pranë Tiranës dhe kështu është situata në këto momente. Kampionat apo Kupë? Gjithmonë kam thënë që Tirana lufton për të dy trofetë, janë objektivat tanë”, përfundoi nigeriani. /abcnews.al