Emanuel Egbo, trajneri i Tiranës, ka dalë sot para mediave dhe ka folur për ndeshjen e nesërme me Vllazninë në Shkodër. Bardheblutë synojnë fitoren e shtatë radhazi në kampionat dhe do të zbresin në fushë prej orës 18:00. Nigeriani i Tiranës, fillimisht ka folur për situatën në skuadër.
“Mendoj se përveç Hasanit, që është bashkuar me ekipin, për shkak se u dëmtua me Luftëtarin, dhe Osmanin që ka pasur dhimbje në mes, besoj se shumica e ekipit është e gatshme për ndeshjen me Vllazninë”, thotë Egbo, i cili më pas thekson se nuk e sheh ekipin e tij si favorit në Shkodër.
FAVORITI – “Nuk shkojmë si favorit, është një ndeshje e radhës. Ju e dini edhe vetë se ndeshjet mes Vllaznisë dhe Tiranës janë si një derbi tjetër në Shqipëri. Kështu që nuk ka asnjë favorit. Vllaznia luan në shtëpi, ne po shkojmë atje dhe nuk do të luajmë në Tiranë. E shoh si ndeshje të radhës dhe le të japim maksimumin në fushën e lojës”, shton trajneri i bardhebluve.
FITORJA NË SHKODËR – Tirana ka fituar takimin e parë në Shkodër, por Egbo nuk do ta kthejë kokën pas: “Unë gjithmonë do merrem me ekipin tim. Të shkojmë atje, të japim maksimumin dhe të marrim maksimumin e mundshëm. Nuk dua të kthehem prapa dhe të shoh çfarë ka ndodhur në fazën e parë. Jemi në fazën e tretë dhe shohim si është ekipi sot. Shkojmë atje për të dhënë 100 për qindëshin tonë dhe shpresojmë që me ndihmën e Zotit do ia dalim”.
ECURIA POZITIVE – “Fitoret radhazi, shtysë? Gjithmonë kemi folur me ekipin për vazhdimësinë. Duke fituar vazhdon një ecuri, nuk e ul ritmin. Është një gjë e mirë për ekipin. Kur fiton shumicën e ndeshjeve, fiton vetëbesim, merr një identitet dhe fut mentalitetin e fituesit. Kështu futesh në çdo ndeshje për të marrë maksimumin e mundshëm”, shprehet Egbo.
DEKLARATA E LICIT – Administratori i Vllaznisë, Suad Lici, pas ndeshjes me Bylisin ka deklaruar se “Tiranës po i shtrojnë rrugën për titullin”. Trajneri Emanuel Egbo i është kërkuar një koment në lidhje me këtë dhe ai shprehet kështu: “Nuk e di a e ka thënë apo jo. Nuk merrem me ekipet e tjera. Merrem me ekipin tonë. Edhe kur na kanë dëmtuar, kur kanë bërë gabime në ndeshje, edhe ata njerëz janë dhe gabojnë, nuk jemi ankuar.
Nuk na kanë ndihmuar arbitrat dhe nuk e di kush po e shtron rrugën për Tiranën. Ne dimë që Tirana është ekipi që gjithmonë luan për fitore. Nuk merremi me të tjerët. Nuk e di me çfarë konteksti e ka thënë Suadi atë gjë. Ai ka qenë te Tirana dhe e di shumë mirë se çfarë është Tirana dhe çfarë është Vllaznia”.
PIKA E FORTË E VLLAZNISË – Në fund, i pyetur se kujt i trembet Egbo nga Vllaznia, ai thotë: “Pavarësisht se bëmë analizën e kundërshtarit, ne merremi me lojën tonë. Nëse bëjmë lojën tonë, japim 100 për qind në fushë, nuk besoj se ka një ekip që do të na hapë shumë probleme. Gjithmonë duke u fokusuar tek loja jonë. Nëse japim maksimumin dhe luajmë sikurse e kemi menduar, nuk kemi pse mendojmë për ekipin kundërshtar”. /abcnews.al