Egar Çani i jep fitoren Partizanit me Flamurtarin

schedule21:17 - 19 Mars, 2018

schedule 21:17 - 19 Mars, 2018

Partizani është fare pranë zonës së Europës në Superligën shqiptare, pas fitores minimale ndaj Flamurtarit. Fati i ndeshjes u vendos nga një futbollist i ardhur me shumë pretendime verën e kaluar.

Partizani më në fund mund të thotë se e ka sulmuesin kryesor të sezonit.

Edgar Çani, pasi mbeti jashtë fushave për 6 muaj, e tregoi veten në ndeshjen e tretë, kur u aktivizua nga trajneri Klevis Dalipi.

Ish-lojtari i kombëtares shënoi golin e vetëm të sfidës tepër të rëndësishme ndaj Flamurtarit në Superligë, duke e afruar ndjeshëm skuadrën e tij me vendin e tretë, pra me Europën.

Çani nuk ishte në fushë që në fillim në “Selman Stërmasi”, ai hyri në fillim të pjesës së dytë, por menjëherë tregoi veten, duke shënuar pa kaluar mirë 8 minuta.

Jo vetëm kaq, por shënoi edhe një gol tjetër, i cili u anulua pa të drejtë për pozicion jashtë loje.

Në minutat e fundit, pati mundësi të realizonte përsëri, por këtë herë gaboi vetë.

Ashtu si në ndeshjet e tjera të kësaj jave, gjyqtari u bë protagonist.

Arbitri Andi Koçi dhe ndihmësit e tij anuluan golin e rregullt të Çanit, ndërsa hodhën poshtë pretendimet e të dyja skuadrave për penallti.

Fillimisht, ishte Partizani që kërkoi 11-metërsh kur Asani u rrëzua në zonë.

Më pas, vlonjatë protestuan pas rrëzimit të Hoxhajt sërish në zonë, pas një dueli me futbollistin vendas, Kotobelli.

Kryeqytetasve u mjaftoi rezultati minimal për të marrë tripikëshin dhe për t’u ngjitur në vendin e katërt, mbi Flamurtarin e Luftëtarin.

Skuadra e Dalipit ka 39 pikë, dhe është 3 pikë larg Laçit që për momentin mban vendin e tretë. Kualifikimi për në Ligën e Europës nga kampionati është e vetmja mundësi për Partizanin këtë sezon, pasi është eleminuar nga Kupa e Shqipërisë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!