Shefi i patrullës së policisë së Shkodrës Rrok Frroku është nxjerrë pas 12 orësh nga humnera ku kishte rënë në fshatin Shosh të Dukagjinit teksa po kryente kontrolle për parcela me kanabis.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 12:00 në një zonë malore të fshatit Shosh, Dukagjin. Gjatë kontrollit në terren Frroku, 54 vjec është rrëzuar në humnerë për shkak të terrenit mjaft të vështirë.
“Me datë 27.05.2022, rreth orës 12:00, në një zonë malore të fshatit Shosh, Dukagjin gjatë kontrollit në terren, në kuadër të planit të masave për kontrollin e territorit, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, njëri nga efektivët e grupit të kontrollit, konkretisht Nënkomisar Rr. F., 54 vjeç, si pasojë e terrenit mjaft të thepisur, është rrëzuar dhe ka rënë në humnerë”, thotë policia.
Shërbimet e Policisë dhe disa grupe të RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet mjekësore pranë Spitalit Rajonal Shkodër, pas 12 orë përpjekjesh, kanë bërë të mundur nxjerrjen nga humnera të efektivit, deri në një pikë ku mund të ulet helikopteri apo të bëhet tërheqja e tij me litarë, me qëllim transportimin e tij drejt Tiranës, për ndihmë mjekësore.
Lexo edhe: Po kërkonte për parcela me kanabis, polici bie në humnerë në Dukagjin
Blutë e Shkodrës informojnë se 54-vjeçari ka marrë lëndime në trup dhe është nën monitorimin e mjekëve në vendngjarje.
“Ekipi i urgjencës mjekësore i ka dhënë ndihmën e pare oficerit të Policisë dhe po e mban nën monitorim, së bashku me shërbimet policore, deri në mbërritjen e helikopterit, pasi transportimi i mëtejshëm nga shërbimet e Policisë, zjarrfikësit dhe shërbimet e urgjencës mjekësore është i pamundur, për shkak të terrenit shumë të vështirë”, thuhet mes të tjerash në njoftim.
Nga pika fundore e rrugës që shkon automjeti deri në vendin ku aktualisht ndodhet punonjësi i policisë i dëmtuar, duhen 6 orë ecje me këmbë dhe një terren shumë i vështirë që e bën të pamundur transportimin me krahë të efektivit.
/abcnews.al