Edmond Haxhinasto del pas disa orësh nga SPAK: U thirra si dëshmitar për çështje të caktuara

schedule17:43 - 12 Nëntor, 2024

schedule 17:43 - 12 Nëntor, 2024

Prokuroria e posaçme po vijon hetimet duke zgjeruar edhe rrethin e personave që janë marrë në pyetje për dosjen ku rezultojnë të përfshirë ish-presidenti Ilir Meta dhe deputetja Monika Kryemadhi.

Të martën për më shumë se 3 orë e 40 minuta në SPAK ka dhënë sqarime edhe ish-ministri i jashtëm dhe i Transporteve Edmond Haxhinasto.

“Kam ardhur si dëshmitar për disa çështje të caktuara. Deponimet e mija i dhashë aty ku duhej t’i jepja”, tha Haxhinasto.

Referuar dosjes hetimore, emri i Haxhinastos ka dalë në disa biseda qe janë siguruar nga ekspertimi i aparatit celular që i është sekuestruar Monika kryemadhit. Në këto biseda, Kryemadhi diskuton me biznesmenin shqiptaro-amerikan Ardian Shatku për lidhjen e një marrëveshje për shtrimin e fibrave optike.

Sipas SPAK, çifti Meta Kryemadhi gjatë vitit 2014-të kanë ndikuar tek disa drejtues të institucioneve shtetërore si dhe drejtues të disa kompanive të telefonive celulare me qëllim futjen ne tregun e fibrave optike dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis një kompanie private dhe një kompanie celulare.

Ish-presidenti Iliri Meta po mbahet i izoluar prej datës 21 tetor për akuzat e korrupsionit, fshehjes së pasurisë dhe pastrim parash. Edhe Kryemadhi akuzohet për të njëjtat vepra penale, por hetimet po zhyvillohen në gjendje të lirë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!