Pjesa e parë e Edicionit Veror këtë të enjte iu dedikua Koço Kokës. Një ndër shoferët e kohës së komunizmit, i cili ka punuar 50 vite në këtë profesion. Një rrëfim interesant për kohën e rinisë dhe peripecitë të cilat ndeshte gjatë kësaj pune, të cilat ai i ka përmbledhur gjithashtu edhe në librin “Me timon nëpër rrugët e atdheut”.
Ai tregoi se ka punuar si shofer nëpër të gjithë qytetet, minierat e hidrocentralet në vend. Koço, dikur shofer kamioni dhe autobusi, tashmë është 89 vjeç, tregoi se u ndje i frymëzuar për të shkruar historitë e tij i shtyrë nga miqtë dhe familjarët kur doli në pension.
Më pas pamë si bëhen gërshetat e vogla. Gazetarja jonë pati shancin që të ishte në duart e Lumturisë, gërshetbërësja profesioniste e cila merrej me këtë profesion që prej 7 vitesh. Procesi kishte një metodë të veçantë e cila nuk shkaktonte rënien e flokëve. Gërshetat, sidomos tani në verë, janë kthyer në trend për arsye se janë shumë praktike dhe komode gjatë plazhit dhe pishinave.
Nuk munguan as tingujt e muzikës, kësaj here nga një DJ femër. DJ Lilak u bëri shumë përshtypje klientëve të Noli’s Drink dhe gjithashtu tregoi se e kupton që njerëzit po kënaqen kur i shikon duke pirë, duke kaluar mirë, por edhe kur kërcejnë në tavolinë. Ajo tha gjithashtu edhe përvojën më të keqe dhe më të mirë që kishte provuar ndonjëherë si DJ.
Mbrëmjet e verës përfundojnë me pije alkoolike dhe pikërisht për këtë ishte dietologia Lida që na këshilloi çfarë të bëjmë pasi të pijmë. Problemi kryesor kur pijmë alkool është dehidratimi, që do të thotë humbje e lëngjeve dhe e kripërave minerale dhe më pas fillojnë problemet të cilat janë ato që ndjejmë, kur e kemi tejkaluar me alkoolin.
Dietologia tha se në ditën pasardhëse nuk duhet pirë aspak alkool, përkundrazi duhet rikuperuar sasia e lëngjeve që keni humbur./abcnews.al