Karantina është e vështirë dhe për ata që mbajnë kafshë shtëpiake. Sidomos ata që kanë qen, të cilët duhet të dalin nga shtëpia jo vetëm për t’u ajërosur, por edhe për proceset fiziologjike.
Qytetarët hasin në rezistencën e policisë, e cila në disa raste nuk e quan shëtitjen e qenit një nevojë bazike, as brenda fashës së orarit të lejuar të lëvizjes së këmbësorve. Në ndalim qarkullimi nuk janë vetëm njerëzit, por edhe kafshët e tyre shtëpiake.
Kufizimet po i ndjejnë kryesisht ata që mbajnë qen në shtëpi. Këto kafshë kanë nevojë jo vetëm të ajërosen si edhe gjithë njerëzit, por disa procese biologjike nuk e njohin karantinën. Trupat e tyre ju binden urdhërave të procesit të tretjes, e jo atyre të qeverive.
Qentë që mbahen nga familje në pallate e kanë të domosdoshme që për këto nevoja bazike të dalin edhe pasdite.
Kjo nuk është e lejuar kurrësesi, por qytetarët hasin vështirësi edhe paradite, pasi policia e konsideron shëtitjen e qenit, jo një nevojë bazike, dhe ju kërkojnë të futen në shtëpi.
Deri më tani, nuk është provuar që kafshët shtëpiake të preken apo të transmetojnë virusin Covid 19. /abcnews.al/