Edhe dy ditë nga finalja, Kukësi dhe Egnatia luftojnë për trofeun e 72-të në histori të Kupës së Shqipërisë

schedule14:14 - 12 Maj, 2024

schedule 14:14 - 12 Maj, 2024

Me përfundimin e javës së fundit të kampionatit të rregullt tashmë i gjithë fokusi do të jetë te “Final Four” megjithatë të martën është një tjetër finale e madhe për t’u luajtur, ajo e Kupës së Shqipërisë, Kukësi – Egnatia.

Edhe dy ditë nga finalja e madhe në “Air Albania” ku do të përcaktohet fituesi i kompeticionit të dytë për nga rëndësia, megjithatë fokusi i skuadrave është maksimal, pasi luhet për të siguruar edhe pjesëmarrjen në Europë.

Të dyja skuadrat kanë pasur një ecuri fantastike këtë sezon në Kupën e Shqipërisë, teksa rrugëtimi i tyre nisi në fazën e 1/8-ave. Kukësi avancoi më tej pasi mundi Elbasanin 1-0, ndërsa Egnatia fitoi ndaj Lushnjës 2-0.

Në çerekfinale, Kukësi bëri mrekullinë pasi ja doli mbanë të kalonte Partizanin, duke avancuar më tej vetëm nga penalltitë, ndërsa Egnatia i fitoi të dyja takimet me Laçin dhe siguroi kualifikimin.

Për të kaluar në finale të dyja skuadrat nuk e patën aspak të lehtë. Kukësi u përballë me Tiranën dhe falë fitores në ndeshjen e parë në shtëpi dhe mbrojtjes së rezultatit në takimin e dytë siguroi finalen.

Në anën tjetër, Egnatia gjeti Vllazninë në gjysmëfinale dhe pas triumfit në ndeshjen e parë, gjiithçka u vendos në sfidën e kthimit në “Loro Boriçi” ku Egnatia realizoi golin e kualifikimit vetëm në shtesë, duke siguruar finalen e dytë radhazi në Kupën e Shqipërisë.

Një rrugëtim i jashtëzakonshëm për të dyja skuadrat që të martën në mbrëmje në stadiumin “Air Albania” prej orës 19:00 do të luftojnë për të fituar trofeun e 72-të në histori të Kupës së Shqipërisë./h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!