Partizani luan nesër një ndeshje shumë të rëndësishme për objektivat e tij ndaj Vllaznisë, në “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 16:00. Para kësaj ndeshje në konferencë për mediet doli trajneri i të kuqve, Ilir Daja, që foli për gjendjen e skuadrës dhe kundërshtarin e nesërm.
“Mendoj se kemi marrë disa energji prej pauzës, që ishin shumë të rëndësishme pas një periudhe të ngjeshur. Na ka bërë mirë dhe me Vllazninë nesër futemi me ritmin që kemi pasur më parë. Kemi akumuluar energji, por duhet të jemi me energji të njëjtë në ndeshje.
Nesër kemi ndeshje të vështirë sepse luajmë me Vllazninë, që ka kryesuar me meritë. Përveç marrjes së pikëve, ka bërë edhe një kampionat shumë të mirë. Ne jemi po aty, dy pikë pas tyre. Nesër kemi të gjithë skuadrën në dispozicion sepse është kthyer edhe Ferhan Hasani.
Mungon vetëm Domingues, që kthehet pak më vonë në Tiranë për shkak të largësisë mes vendeve. Deri në seancën e fundit, që e kemi pas një ore do kujdesemi të mos na dëmtohet njeri për të qenë të gjithë në ndeshje. Ne do bëjmë lojën tonë. Është e vështirë sepse edhe ata do bëjnë lojën e vet.
Ekipi që do imponojë lojën e vet nesër do ketë më shumë shanse të fitojë nesër. Janë dy ekipe me vetëm 2 pikë diferencë dhe të dy kanë shanse të barabarta dhe janë rivale. Do përgatisim për të marrë maksimumin, fitoren. Nuk mbyllet kampionati me atë fitore, por të jep nga ana psikologjike sepse vjen ndaj Vllaznisë.
Edhe me kundërshtarët e tjerë kemi luajtur goxha mirë, na ka munguar shpesh fitorja edhe në ndeshje goxha të mira për ne. Kemi nisur më 4 nëntor dhe është hera e parë që lojtarët kanë pasur 1 javë hapësirë. Ekipet kanë pasur oscilacione dhe nuk i kanë pasur të gjithë në dispozicion. Siç ka qenë deri më tani për të gjithë skuadrat, ashtu do të mbyllet kampionati.
Do jetë garë e luftuar dhe do ketë sërish luhatje nga ekipet, por sigurisht, tani gabimet nuk na shkojnë sepse ka shumë pak kohë për të rikuperuar. Janë edhe 11 javë. Gjithsesi nuk do merre me ndonjë gjëmë të madhe. Kush gabon më pak, kap fundin. Rinovimet i kemi shtyrë vetë. Kemi folur me lojtarët, pavarësisht se çfarë dëgjojmë lartë e poshtë.
Partizani do të mbajë më shumë se 80% të grupit që ka sepse do luftojmë që këtë skuadër ta çojmë me tej dhe për ta bërë këtë, baza do të jetë ky grup. Ndoshta nuk është momenti për rinovimet sepse duhet ta bëjmë në një kohë të gjithë bashkë sepse në Shqipëri dihet që kur firmos e merr vesh gjysma e shtetit.
Për të shmangur këtë kemi rënë dakord që të dëgjojmë pretendimet e lojtarëve dhe më pas të shkojmë drejt rinovimeve. Ferhan Hasani nuk ka pasur minuta me vendim të stafit mjekësor. Kemi marrë edhe ndihmën e mjekëve të kombëtares, që përcaktuan se Hasani mund të luante në ndeshjen e dytë të Maqedonisë, që nuk kishte ngarkesë të madhe.
Tashmë ai mund të vazhdojë gradualisht nëse nuk do ketë shqetësim shëndetësor. Deri më tani ai nuk ka ndjerë asnjë shqetësim, kështu që presim që ai të japë ndihmën e vet sepse ka shumë vlera si individ. Po e përsëris, mosaktivizimi i Ferhanit në të shkuarën nuk ka qenë problem i stafit teknik, por vendim i atij mjekësor”, u shpreh Daja. /abcnews.al