Roland Koeman pësoi humbjen e parë në stolin e Barcelonës. Getafe mposhti 1-0 ekipin katalanas (nuk e bënte prej vitit 2011) mbrëmjen e kaluar falë golit të Jaime Mata nga pika e penalltisë.
Një mbrëmje për t’u harruar për trajnerin holandez, i cili është ankuar pas ndeshjes në lidhje me debatin që pati me Allan Nyom, anësorin e djathtë të ekipit kundërshtar dhe Kamerunit.
“I thashë trajneri të Getafes (Pepe Bordalas) që lojtari me numër 12 (Nyom) kishte treguar mungesë respekti ndaj meje. Nuk dua t’i përsëris, por m’u drejtua 2-3 herë gjatë ndeshjes me fjalë të shëmtuara, më ofendoi.
I thashë Bardalas që ishte e nevojshme të fliste me lojtarin e tij, pasi ne trajnerët nuk mund të tolerojmë sjellje të tilla në futbollin modern“, theksoi Koeman.
Një koment rreth episodit të ndodhur bëri edhe trajneri i ekipit vendas. “Dua të flas për futboll, nuk kam ardhur këtu të bëj polemika. Nuk kam biseduar akoma me Nyom.
Do e bëj nesër (sot). E njoh shumë mirë dhe dyshoj të jetë shprehur ashtu siç pretendon Koeman. Nyom është një tip luftarak dhe konkurrues në lojë, por i respektueshëm shumë si djalë.
Sigurisht që nuk i toleroj sjelljet e gabuara të lojtarëve të mi, por e kam të vështirë ta besoj që e ka ofenduar trajnerin e Barcelonës“, deklaroi Bordalas. /abcnews.al