“E turpshme çfarë po ndodh, indiferentizëm total për Flamurtarin”

schedule23:00 - 20 Janar, 2020

schedule 23:00 - 20 Janar, 2020

Agim Canaj dhe Ledio Pano janë dy nga të ftuarit në emisionin “Pressing” në ABC News. Ata folën për konkurrencën në kampionat dhe u ndalën më pas te skuadra e Flamurtarit. “Mendoj që konkurrenca do jetë e njëjtë. Lëvizjet kanë qenë të pakta. Gjysma e ekipeve kanë ndryshuar trajnerët dhe mënyra e të luajturit. Sigurisht edhe aftësia e trajnerëve. Shpresoj të ketë ndonjë goditje në këtë javë. Skuadrat kanë nevojë për ndonjë prurje cilësore”, tha fillimisht Canaj.

Më pas foli edhe për klubin e Flamurtarit: “Unë jam vlonjat dhe më vjen keq. E cekëm që është një emër i madh, por krenohet vetëm me të shkuarën. Është menaxhuar nga bashkia dhe i është afruar titullit me Shpëtim Gjikën. Kalimi te privati tregoi tjetër gjë. Jam dakord që e ka nisur i dështuar Flamurtari. Duhet buxhet dhe trajner dhe shumë elementë të një skuadër futbolli.

Nuk mendoj se po tallen. Isha atje dhe fola me futbollistë. Ka indiferentizëm total. Kjo është më e keqja. Zërat janë shuar, besimi ka rënë. Deri para pak muajsh besohej se do ndryshonte gjendja, por jo. Marrëdhënia mes kryetarit të Bashkisë dhe administratorit është zero, nuk duan para. Është e vështirë që Flamurtari të bëjë një skuadër për të shpëtuar”.

PANO – Ledio Pano, në lidhje me garën tha: “Ndryshe nga herët e tjera, kur fitonte Skënderbeu apo Partizani vjet, sivjet janë pesë ekipe që po rivalizojnë me njëri-tjetrin”. Më pas ai shprehu keqardhjen e tij për gjendjen e Flamurtarit. “Mënyra më e keqe që mund të bjerë Flamurtari është kjo. E turpshme. Flamurtari i madh na ka bërë krenar. I gjithë ai qytet me atë histori futbolli nuk ngrihet dhe të gjejë pse është kjo gjendje dhe si mund të rregullohet. Mua më vjen keq për atë klub”, tha Pano. /abcnews.al