E treguan shokët? Me 72 pako kanabis në “Volvo”, kapet në Kapshticë 42-vjeçari

schedule18:38 - 15 Dhjetor, 2021

schedule 18:38 - 15 Dhjetor, 2021

Ka shkuar në 7 numri i personave të arrestuar nga operacioni i finalizuar nga policia një muaj më parë në Korçë. Sipas bluve në kuadër të këtij operacioni, sasia e lëndës narkotike të sekuestruar ka shkuar në 252.4 kg.

Në pranga së fundmi është vënë S. K., 42 vjeç, banues në Korçë. Ai është konstatuar nga policia në aksin rrugor Korçë automjetin tip “Volvo”. Gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan 72 pako me peshë 65 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, sasi e cila do të trafikohej në drejtim të shtetit grek.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.

Njoftimi i policisë

Shkon në 7 numri i të ndaluarve dhe në 252.4 kg lëndë narkotike e sekuestruar në kuadër të këtij operacioni, që ka startuar një muaj më parë për goditjen e një grupi kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Trafiqet e Paligjshme dhe Narkotikët në DVP Korçë, në bashkëpunim me SHÇBA dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë.

Në vijim të operacionit, goditet rasti i tretë i tentativës për trafikim të narkotikëve, sekuestrohen edhe 65 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, vihen në pranga 2 shtetas të tjerë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me SHÇBA, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, në vijim të operacionit të koduar “Restart”, nisur 1 muaj më parë, si rezultat i të cilit janë vënë në pranga 5 shtetas dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale 187.4 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, kanë vijuar veprimet e thelluara hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Si rezultat i informacioneve të grumbullauara nga hetimet proaktive dhe punës së mirëorganizuar, u godit një tjetër rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek, ku u bë arrestimi në flagrancë i një pjesëtari tjetër të këtij grupi kriminal konkretisht shtetasit S. K., 42 vjeç, banues në Korçë.

Shtetasi i mësipërm, është kapur nga shërbimet e policisë në aksin rrugor Korçë-Kapshticë,​ me automjetin tip “Volvo”, gjatë kontrollit të të cilit iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 72 pako me peshë 65 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, sasi e cila do të trafikohej në drejtim të shtetit grek.

Gjithashtu po në kuadër të këtij operacioni, u bë ndalimi për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, ngelur në tentativë, i shtetasit E. F., 32 vjeç, banues në Korçë, i dyshuar si i implikuar në ngjarjen e datës 06.11.2021, ku u arrestuan në flagrancë 4 shtetasit L. R; J. M; I. M. dhe A. Ç.

Në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, hetimet për këtë operacion po vijojnë për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë të implikuar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.