E shpëtuan Shqipërinë dy herë: Nga fashizmi, pastaj nga copëtimi

schedule10:42 - 30 Nëntor, 2023

schedule 10:42 - 30 Nëntor, 2023

Nga Paskal Milo

Në mendimin politik e historiografik shqiptar, prej më tepër se 70 vitesh që Shqipëria është çliruar nga pushtimi nazifashist, ka patur dhe ka një debat të përqëndruar rreth përgjigjes për pyetjen: çfarë ishte lufta e shqiptarëve në vitet e Konfliktit të Dytë Botëror? Ishte Luftë Antifashiste Nacionalçlirimtare apo thjeshtë Luftë Antifashiste apo Luftë Civile?

Kjo pyetje e paraqitur për diskutim në këtë forum akademik dhe intelektual është e rëndësishme, pse përgjigja ndaj saj ka të bëjë me thelbin e vetë Luftës. Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje ka të bëjë gjithashtu me një çështje sa të vjetër aq edhe të re, sa profesionale, aq dhe spekulative, siç është procesi normal, objektiv i rishkrimit të historisë. Vini re: Rishkrim e jo ribërje të historisë, rishkrim duke përmirësuar e korigjuar dhe jo duke e përmbysur atë.

Historia është tentuar në vazhdimësi në breza njerëzorë të shtrembërohet e të përmbyset. Një historiografi e tillë nuk i ka qëndruar e nuk i qëndron kohës, siç është provuar edhe këtu tek ne. Ka qenë një mall konsumi për një kohë të caktuar e për një synim të caktuar, pastaj e ka mbuluar pluhuri i harresës.
Për të mos u larguar nga tema: Pse sot historia e shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore duhet rishkruar? Për një numër arsyesh e faktorësh: se ka liri politike, njerëzore, akademike, se nuk ka censurë dhe autocensurë, se ka në vazhdimësi dokumentacion e këndvështrime të reja, kulturë e metoda të reja historiografike, largim të faktorëve subjektivë që ushtrojnë në një mënyrë ose një tjetër presion mbi historiografinë dhe që ushqejnë tradicionalizmin historiografik e të tjera.

Konceptet Luftë Nacionalçlirimtare dhe Luftë Antifashiste nuk janë përjashtuese të njëra – tjetrës, por komplementare. E para është një koncept më i gjerë e përfshin edhe të dytën. Por ato kanë dhe dallime që reflektojnë qëndrimin ndaj thelbit të luftës, të forcave që morën pjesë në të, të qëndrimit të tyre ndaj të huajve e të synimeve për të ardhmen.

Pse lufta ka qenë nacionalçlirimtare?

Lufta ka qenë nacionalçlirimtare sepse Shqipëria, populli, i gjithë kombi shqiptar në Ballkan ka qenë i pushtuar nga fashizmi shtetëror italian e gjerman. Detyra parësore e shqiptarëve ka qenë çlirimi nga pushtuesit e huaj. Prandaj lufta ishte çlirimtare, por edhe kombëtare. Kundërshtarët e këtij emërtimi përmbajtësor janë dy kategori: ata që mbrojnë e zhvillojnë tezën e luftës civile në Shqipëri dhe ata që krijimin e “Shqipërisë së Madhe” nga fashizmi e kanë përjetuar ose e interpretojnë si çlirim nga një pushtues shekullor e mizor siç ishte shovinizmi serb në Kosovë, për të rënë nën sundimin e një pushtuesi të ri që solli elemente lirie, frymëmarrje, administratë e shkolla shqipe, njëfarë zhvillimi kolonial e bashkim të përkohshëm e jo të plotë të shqiptarëve.

Për kategorinë e parë, shqiptarët luftuan njëri-tjetrin dhe jo të huajt, ndaj lufta nuk ishte nacionalçlirimtare por civile. Këtë tezë e kanë zhvilluar ish kolaboracionistët shqiptarë tradicionalë të fashizmit të tipit të Mustafa Krujës por edhe forca politike antikomuniste që për të luftuar komunizmin, bashkëpunuan me fashizmin. Sot këtë tezë e mbrojnë, e zhvillojnë dhe e kanë ngritur në nivelin e një kryqëzate antinacionalçlirimtare trashëgimtarët biologjikë e politikë të Ballit Kombëtar e të Legalitetit.

Të parët, në një farë mënyre justifikohen se përpiqen të mbrojnë baballarët dhe gabimin fatal të tyre në Luftë, për shkak të të cilit vuajtën pa të drejtë persekutimin komunist. Të dytët kanë bërë avokatinë e platformës ideologjike e politike të të dy partive të vjetra në emër të të cilës kanë garuar për rreth një çerek shekulli e kanë dështuar, aq sa kanë arritur në kufijtë më minimalë të ekzistencës së tyre. Fatin e tyre si parti e vjetër e kanë sot edhe partitë e quajtura komuniste.

Në historiografi ka një numër të vogël historianësh që kanë bërë objekt studimi raportin midis Luftës Nacionalçlirimtare dhe luftës civile. Ështe zgjedhja e tyre në një shoqëri demokratike që garanton e respekton lirinë akademike. Nuk është dukuri e re në debatin shkencor. Për herë të parë është ngritur e diskutuar në Konferencën Kombëtare për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare në nëntor 1974.

Tendenca për të qëmtuar në mënyrë seleksionuese dokumente shqiptare apo të huaja për të vërtetuar gjoja se pas tetorit 1943 në Shqipëri nuk ka patur Luftë Nacionalçlirimtare, por luftë civile, është një përpjekje për të fshehur pyllin prapa pemës.

Në Shqipëri nuk ka patur luftë civile por çfaqje të elementëve të veçanta të saj. Shqipëria ishte një vend i pushtuar nga dy divizione e gjysmë gjermane që sa hynë në vend, masakruan shqiptarë të pafajshëm, fëmijë që sa kishin lindur, gra e pleq dhe që shkaktuan vrasje, djegie, shkatërrime e mizori të pashembullta. Shqiptarët kishin përballë këtë armik që ishte dhe armiku i popujve të tjerë evropianë, sovjetik e amerikan që e luftonin në kuadrin e Kombeve të Bashkuara.

Lëvizja Nacionalçlirimtare, pushtuesin gjerman e konsideroi dhe e luftoi si armikun kryesor, ndërsa Balli Kombëtar si armik kryesor quante PKSH e partizanët dhe në luftën kundër tyre bashkëpunoi me gjermanët. Nuk ka luftë civile në një vend të pushtuar nga të huajt. Këtë nuk e tregon vetëm përvoja e Shqipërisë, por edhe ajo e vendeve fqinje, e Jugosllavisë, e Greqisë dhe vendeve të tjera evropiane.

Lëvizja çetnike në Jugosllavi me në krye Drazha Mihajlloviçin ishte e fuqishme, pati mbështetjen anglo-amerikane në fillim, por u braktis në momentin që filloi të bashkëpunojë me gjermanët kundër ushtrisë nacionalçlirimtare të Titos. E në Jugosllavi asnjë historian serioz nuk thotë se ka patur luftë civile.

Në Greqi, partia homologe e Ballit Kombëtar ishte EDES e udhëhequr nga gjenerali nacional-shovinist Napoleon Zervas. Me këtë Lëvizje Balli Kombëtar ka arritur të tentojë një marrëveshje, përmbajtja e të cilës ishte thellësisht antikombëtare. EDES bashkëpunoi me pushtuesit gjermanë në Greqi, iu kundërvu EAM-ELAS-it, por askush nuk thotë se aty pati luftë civile deri në dhjetor 1944. Lufta civile në Greqi u zhvillua si luftë për pushtet vetëm në vitet 1946-1949, kur nuk kishte pushtues të huaj.

Në Shqipëri nuk kishte luftë civile, sepse shumica e shqiptarëve u rreshtuan krah Lëvizjes Nacionalçlirimtare e jo me Ballin Kombëtar e Legalitetin. Luftë civile do të thotë jo vetëm rivalitet të ashpër për pushtet me përdorimin e forcës, por pak a shumë edhe një barazpeshë fuqie që e bën të mundur atë. Në Shqipëri, forca kryesore ishte Ushtria Nacionalçlirimtare e cila në verën e vitit 1943 kishte 15 mijë luftëtarë të organizuar, në vjeshtë të atij viti arriti rreth 30 mijë dhe në fund të Luftës në 70 mijë partizanë.

Balli Kombëtar nuk arriti të ketë veç rreth 15 mijë njerëz të armatosur dhe Legaliteti jo më shumë se 5 mijë veta. Në Lëvizjen Nacionalçlirimtare u integrua pjesa më vitale e shoqërisë shqiptare, rinia e gratë. Në radhët partizane ishin të organizuara 6000 vajza e gra shqiptare që mund t’i kishte zili çdo lëvizje tjetër antifashiste nacionalçlirimtare në Evropë. A mund të thotë kush se sa vajza e gra kishte në radhët e Ballit Kombëtar e të Legalitetit? Thuajse asnjë. Nuk ka luftë civile midis të madhit e të fuqishmit e të voglit e të dobëtit.

Balli shkoi te gjermanët, gjermanët shkuan tek Enveri

Dobësia e Ballit dhe e Legalitetit ishte se ata gabuan në strategji e në taktikë, se duke mos dashur e patur vullnet për të luftuar pushtuesin, bashkëpunuan me të për të mos harxhuar forcat e për t’i ruajtur për në fund, për betejën finale për pushtet e që nuk erdhi kurrë. Balli shkoi tek pushtuesit gjermanë e për këtë faktet e dokumentet jo vetëm shqiptare, por edhe të huaja, janë të padiskutueshme e të njohura.

Por ndofta të panjohura ose pak të njohura janë dy fakte të tjera: I pari, që pas Mukjes, Hysni Lepenica, Skënder Muço, Isuf Luzaj, Uan Filipi e të tjerë, pjesa më aktive, më e re, më radikale në kuptimin e luftës së armatosur të Ballit, kërkuan bashkëpunim me PKSH e Lëvizjen Nacionalçlirimtare për të përmbysur udhëheqjen qëndrore të tij e për të luftuar së bashku pushtuesit gjermanë. Në shtator 1944 përfaqësues të lartë të Ballit Kombëtar zhvilluan bisedime të fshehta me delegatë me mandat të PKSH e të Frontit Nacionalçlirimtar për të bashkëpunuar, me kusht që t’u falej jeta.

Fakti i dytë, udhëheqja komuniste e partizane nuk shkoi, siç bëri Balli, të kërkojë marrëveshje me pushtuesit, por ishin gjermanët që shkuan e kërkuan kompromisin me Lëvizjen Nacionalçlirimtare të paktën me sa është e dokumentuar, dy herë.

Përpjekja e parë u bë kur trupat gjermane hynë në Shqipëri. Komanda e tyre i propozoi udhëheqjes së Lëvizjes marrjen e pushtetit, krijimin e qeverisë me kushtin që forcat gjermane të mos sulmoheshin sa kohë që ato të qëndronin në Shqipëri. Moment i dytë ishte në mars 1944, kur Komanda e Lartë Gjermane kërkoi e dërgoi në Panarit të Korçës një oficer të lartë për bisedime me Shtabin e Përgjithshëm, për të nënshkruar një marrëveshje.

Gjermanët i kërkuan të mos sulmoheshin e pengoheshin trupat e tyre që të kalonin nëpër Shqipëri me destinacion Greqinë, dhe në këmbim ata do t’i dorëzonin Lëvizjes Nacionalçlirimtare “gjithë pushtetin politik e ushtarak”. Në të dy rastet Shtabi i Përgjithshëm i hodhi poshtë propozimet e përfaqësuesve gjermanë dhe u deklaroi atyre se Ushtria Nacionalçlirimtare ishte aleate me anglo-amerikanët dhe do t’i luftonin deri në fund forcat pushtuese gjermane në Shqipëri.

Kategoria e dytë e kundërshtarëve të emërtimit e të përmbajtjes të Luftës Nacionalçlirimtare kanë qenë përkrahësit e “Shqipërisë së Madhe” nën pushtimin fashist, si një rrugë e mundësi për realizimin e Shqipërisë etnike. Ata kanë patur e kanë një gjykim të ngushtë, të gabuar e tepër naiv për konceptin e lirisë, për natyrën e fashizmit dhe mungesë njohurie për të drejtën ndërkombëtare e bazat e së drejtës mbi të cilat u ndërtua Aleanca e Kombeve të Bashkuara.

Nacionalizmi si kartë politike për pushtet

Nacionalizmi që në kohën e Luftës e deri më sot, është përdorur si kartë në konkurencën politike për pushtet. Ato që u quajtën forca nacionaliste, Balli Kombëtar e Legaliteti, këtë kartë e donin për vehte, e bën pronë të tyre si një alternativë për t’iu kundërvënë Lëvizjes Nacionalçlirimtare, për ta goditur atë në një çështje që ishte e ndjeshme për shqiptarët sidomos në Kosovë e në atë hapësirë të quajtur “Toka të Lirueme” e që duke u bashkuar me atdheun mëmë e nën të njëjtin pushtues, u quajt “Shqipëria e Madhe”.

Balli Kombëtar shfrytëzoi në maksimum marrëdhëniet e PKSH me PKJ dhe qenien e dy emisarëve komunistë jugosllavë në Shqipëri, për të akuzuar Lëvizjen Nacionalçlirimtare si antikombëtare. Duhet pranuar se një propagandë e tillë qe realisht e suksesshme në Kosovë e pak në Shqipëri. Por ajo rezultoi e dështuar si taktikë. Shumica e shqiptarëve në Shqipëri shkuan pas “nacionalçlirimtares” siç e quanin ballistët Lëvizjen partizane.

Balli Kombëtar kishte një platformë nacionaliste të sintetizuar në parullën e Shqipërisë etnike, dhe këtu duhet pranuar se e vuri jo pak në vështirësi PKSH. Por Balli mbeti tek parulla, i mungoi aksioni, i mungoi vullneti për të luftuar, ngeci në dilemat dhe hezitimet e tij të njohura të orientimit, që e çuan sa në qëndrime pasive, aq edhe kompromentuese. Udhëheqja qëndrore e Ballit Kombëtar ishte e shkollës së vjetër, tradicionale të politikës, nuk ishte revolucionare në kuptimin e kapjes së ritmit e të mesazhit kryesor që kërkonte e jepte koha.

Gabimi kryesor i Ballit Kombëtar ishte se në vënd që të organizonte e të udhëhiqte një luftë të fuqishme antifashiste e nacionaliste, u përpoq që në emër të luftës për pushtetin e nesërm, të luftojë e të pengojë Lëvizjen Nacionalçlirimtare të udhëhequr nga komunistët. Vetë PKSH ka një pjesë të madhe të përgjegjësisë që nuk ofroi bashkëpunim dhe shanse reale për një marrëdhënie më të sinqertë e më të ndershme me Ballin. Por dallimi mes tyre ishte thelbësor për nga mënyra se si e kërkonin pushtetin.

PKSH e synoi pushtetin me të gjitha forcat, por në luftë për jetë a vdekje me pushtuesit e bashkëpunëtorët e tyre. Balli Kombëtar e kërkoi atë duke pritur ndërhyrjen aleate, duke kryer ndonjë aksion më të rrallë e duke përforcuar gjithnjë e më shumë bashkëpunimin me pushtuesit. Ai humbi kredencialet për t’u parë si një alternativë serioze e fuqishme, antifashiste dhe antikomuniste në sytë e shqiptarëve, por edhe të aleatëve. Bëri një gabim fatal, rrjedhojat e të cilit nuk do të vononin që të vinin.

Lufta dhe regjimi komunist që u vendos pas saj

Si 70 vite të shkuara, edhe tani ka një debat për raportin midis Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri. Ka njerëz, për fat jo shumë që e mallkojnë Luftën dhe e denigrojnë atë sepse sipas tyre ajo solli komunizmin. Një qasje e tillë nuk ka veç mllef e injorancë për të kuptuar ecurinë e procesit historik.

Detyra parësore dhe strategjike e të gjithë popujve të Kombeve të Bashkuara ishte antifashizmi, lufta kundër Fuqive të Boshtit Fashist. Stalini, Tito, Enver Hoxha e shumë të tjerë ishin komunistë, sikurse Ruzvelti, Çurçilli, De Goli e të tjerë ishin antikomunistë. Por ata u bashkuan, jo se nuk e njihnin njëri-tjetrin për çfarë përfaqësonin, por për të luftuar të gjithë bashkë e për të shkatërruar fuqinë më të madhe e më të rrezikshme që kishte njohur njerëzimi, fashizmin.

Shqipëria dhe shqiptarët, sigurisht që nuk përcaktonin fatin e Luftës së Dytë Botërore. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare në Shqipëri ishte kontribut modest i një populli të vogël në fitoren e madhe, që bëri detyrën dhe u orientua drejt. Kontributi i 70 mijë luftëtarëve shqiptarë ishte i rëndësishëm në raport me popullin shqiptar, por nuk kishte ndonjë peshë të madhe në arritjen e objektivave strategjike të Kombeve të Bashkuara në luftën kundër fashizmit.

Kjo është një e vërtetë që e dinë të gjithë, fitimtarët e të mundurit e Luftës, komunistët, ballistët e zogistët. Një akt madhor i një populli që bëri sakrifica njerëzore e materiale, që kreu një detyrë morale të jashtëzakonshme, është amorale të lidhet me rrjedhojat e padëshirueshme që erdhën më pas e jo për shkak të kësaj lufte.

Komunizmin në Shqipëri nuk mund ta sillnin 2500 komunistë, edhe sikur të ishin të gjithë instruktorë të Internacionales Komuniste. Shumica e tyre nuk e dinin se çfarë ishte komunizmi e jo më të këqijat e tij. Komunistët i tërhoqën shumicën e shqiptarëve me antifashizmin, me luftën, sakrificat e gjakun e tyre, me programin thellësisht social. Reforma agrare nuk ishte reformë komuniste. Toka ishte një ëndërr për shqiptarët e varfër.

Komunizmin në Shqipëri e ndihmuan që të vinte ata që ishin deklaruar si antikomunistë. Ata nuk u dhanë shqiptarëve një alternativë të fuqishme antifashiste dhe antikomuniste që të pëlqehej e të mbështetej fort prej tyre.

Kadare për Luftën

Nuk më pëlqen ta citoj Ismail Kadarenë për historinë, se nuk është historian, por këtë herë po e citoj më tepër për forcën e tij të mendimit e të analizës që përdor për të kundërshtuar këtë konstruksion ahistorik të kundërshtarëve të Luftës Nacionalçlirimtare. Ja çfarë shkruan ai në qershor të këtij viti: “Ndonëse ndihmesa e Shqipërisë në përplasjen botërore ka qënë modeste, pjesëmarrja ka qënë në nderin e saj. Kjo është e vërteta që jep historia. Një tjetër kundërhistori, ajo që e lidh këtë lëvizje çliruese dhe këta dëshmorë me një rend sundues dyzetvjeçar, s’është veçse një përçudnim”.

Lufta Nacionalçlirimtare është një ngjarje shumë e rëndësishme në historinë shqiptare të shekullit të XX-të jo thjesht se ajo solli 29 nëntorin e vitit 1944. Në mos në 29 nëntor, Shqipëria do të çlirohej në 29 dhjetor apo disa muaj më vonë. Lufta solli lirinë, shpresat për një të ardhme më të mirë, solli dinjitetin dhe krenarinë për shumicën e shqiptarëve që bënë zgjedhjen e duhur e të drejtë në një kohë sprove të madhe për popujt e botës.

Lufta Nacionalçlirimtare forcoi pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë. Ajo e reshtoi Shqipërinë e popullin shqiptar në anën e duhur të historisë, krahas Kombeve të Bashkuara fitimtare të Luftës kundër fashizmit. Pa atë, Shqipëria në fund të Luftës së Dytë Botërore rrezikohej për t’u coptuar.

Kjo nuk është një deklaratë që mund të bëjë të shtrembërojnë buzët ata, që me kohë u është shtrembëruar ndërgjegja dhe shtylla kurrizore e logjikës dhe analizës intelektuale qoftë nga politika, qoftë nga trashëgimia e përlyer familjare e fisnore e kohës së Luftës, apo nga snobizmi e nihilizmi tradicional i vlerave kombëtare në emër të modernizimit dhe intelektualizmit avanguardist.

Kush ka parë vetëm arkivat britanike dhe amerikane të Luftës së Dytë Botërore për Shqipërinë e Ballkanin, e kupton fare mirë se çfarë skemash copëtimi dhe çfarë alternativash masakrimi qarkullonin nëpër kabinete për Shqipërinë, e për trojet shqiptare në Ballkan.

Ajo çfarë ndodhi në Konferencën e Paqes në Paris, në gusht 1946, ishte vetëm një provë e vogël e një skenari të madh antishqiptar që do të ishte zbatuar pa mëdyshje në Shqipërinë e Jugut, siç u zbatua për Transnistrinë e Moldavinë, për vendet balltike, për Transilvaninë e Dobruxhën e për disa territore të tjera në vende si Rumania, Bullgaria, Hungaria e Finlanda që u radhitën në Boshtin fashist e jo me Kombet e Bashkuara, siç bënë shumica e shqiptarëve.

Partizanët shqiptarë shpëtuan Shqipërinë dy herë, një herë nga fashizmi dhe një herë nga copëtimi./dita

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!