Se kujt i lindi për herë të parë ideja për të formësuar e vënë në kokë një qeleshe a plis, mbetet i humbur në mjegullën e shekujve, duke lënë pas veç sherre tipike ballkanike mbi origjinën, por kush po i punon sot, me dorë e me shpirt, njësoj siç janë bërë prej mijëra vitesh, nga ilirët te arbërit e deri te shqiptarët e sotëm, kjo tashmë dihet. Ai quhet Adi. Vetëm 31 vjeç, dhe siç thotë fjala e urtë, është rasti më i mirë i “dardhës që bie nën dardhë”. Tek ai, mjeshtëria nuk është thjesht zanat, por trashëgimi që rrjedh natyrshëm, si gjak që nuk humbet kurrë kujtesën e vet.
Të mbash gjallë zanatin e të parëve nuk është vetëm punë; është mision, është amanet. Është një urë e padukshme që lidh kohët, duke e bërë të shkuarën të marrë frymë në të tashmen. Dhe Adi Guni është një nga ata të rinj që e ka marrë mbi supe këtë barrë sa të bukur aq dhe të vështirë, duke i dhënë formë jo vetëm një qelesheje, por edhe vetë identitetit që ajo përfaqëson.
Adi është i vetmi qeleshpunues ne qytetin e Krujës. Një mjeshtër që çdo ditë i rikthehet të njëjtit ritual, duke punuar me përkushtim qeleshet që dikur ishin pjesë e pandarë e identitetit shqiptar, si një simbol që shkon përtej veshjes dhe hyn në kulturë e shpirt. Në kalldremet e Pazarit të Vjetër, mu në zemer të Krujës historike, ndodhet punishtja e tij. Këtu, çdo objekt flet për të kaluaren, ndërsa çdo lëvizje e mjeshtrit është vazhdimësi e një tradite 7 brezash.
Çdo ditë të vitit ai i përkushtohet këtij zanati, duke krijuar qeleshe që nuk mbeten vetëm në Krujë, por udhëtojnë në çdo cep të botes ku jetojnë shqiptarë. Sapo vë kembë np punishte ndihet një aromë e veçantë. Perzierje sapuni dhe leshi të freskët, një aromë që të çon menjeherë në jetën e fshatit. Qeleshja duket e thjeshtë, e lehte per t’u mbajtur, por pas saj fshihet një procces i gjatë dhe i nderlikuar. Plot 12 faza pune, secila që kërko kujdes dhe mjeshtëri, që jo kushdo mund ta zoterojë.
Dhe gjithçka nis nga materiali. Jo çdo lesh është i përshtatshëm. Një qeleshe cilësore punohet vetem me leshin e deleve rude, të rritura në zonat malore shqiptare. Pasi pergatitet, leshi merr formë permes ujit dhe shkumes së sapunit, ndërsa duart e Adit i japin jetë çdo detaji. Mjetet që perdoren në këtë punishte jane po aq të veçanta sa vetë zanati. Të ruajtura me fanatizem nder breza, ato mbajnë mbi vete gjurmët e kohës, por vazhdojnë të jenë po aq funksionale edhe sot.
Pas 3 orësh të mira pune, qeleshja merr formën përfundimtare dhe lihet të thahet, duke përmbyllur një proces që është njoëkohësisht teknik dhe artistik. Çdo krahine e Shqiperisë ka formen e saj të veçantë të qeleshes. Dikur, burrat njiheshin nga kjo veshje tradicionale, nje simbol identiteti dhe përkatësie.
Edhe pse sot mund të gjesh edhe qeleshe të zeza, ato mbeten me shumë per dekor, ndersa e bardha vazhdon të mbajë peshën e traditës. E njëjta frymë ruhet edhe në produkte e tjera të leshta. Papuçet tradicionale, si qëmoti, vazhdojnë të jenë të dashur në familjet shqiptare jo vetem si zbukurim, por edhe si pjesë e përditshmërisë në shtëpi.
Kushdo që vjen në Kruje nuk kërkon vetëm të shohë historinë, por ta ndjejë atë. Dhe në punishten e familjes Guni, kjo histori nuk është e largët. Ajo është e gjallë, e prekshme, dhe vazhdon të përsëritet qetësisht, brez pas brezi.


