Një ngjarje tragjike është regjistruar paraditen e së enjtes në plazhin e Orikumit, ku një turist shqiptar, rreth 75 vjeç, ka humbur jetën pasi dyshohet se pësoi një infarkt kardiak.
Sipas informacioneve paraprake, i moshuari kishte shkuar për pushime së bashku me familjen. Rreth orës 11:30, menjëherë pasi kishte hyrë në det, ai është ndier keq dhe është drejtuar drejt bregut, ku ka humbur ndjenjat.
Pushuesit dhe familjarët kanë reaguar menjëherë, duke e nxjerrë në breg dhe duke njoftuar shërbimet e emergjencës. Në vendngjarje ka mbërritur ambulanca e Orikumit, ndërsa ekipi mjekësor ka kryer manovrat e reanimimit, por pa arritur ta rikthejë në jetë.
Dyshimet e para janë se 75-vjeçari ka ndërruar jetë si pasojë e një infarkti kardiak.
Megjithatë, shkaku i saktë i vdekjes dhe rrethanat e plota të ngjarjes pritet të konfirmohen nga autoritetet kompetente pas përfundimit të veprimeve procedurale.



