Shtyu 55 vjeçaren nga shkallët dhe e mbajti me këmbë të thyer në shtëpi për 6 ditë, bashkëshorti mohon akuzat

schedule14:01 - 22 Qershor, 2023

schedule 14:01 - 22 Qershor, 2023

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Korçë ku një 55 vjeçare e cila dhunohej nga bashkëshorti, prej 6 ditësh ka qëndruar me këmbë të thyer në banesë.

Sipas informacioneve mësohet se Diana Mulla, është shtyrë nga bashkëshorti i saj, Fatos Mulla, në shkallët e shtëpisë private, duke i shkaktuar thyerje të këmbës së djathtë.

Mësohet se ai e ka mbajtur në banesë deri ditën e djeshme, e më pas e ka çuar në spital, aty ku e dhunuara ka treguar për bluzat e bardha se bashkëshorti e ka shtyrë.

55 vjeçarja ka probleme shëndetësore, ku ka pësuar paralizë dhe vuan nga zemra, pra konsiderohet si person invalid. Ajo tregon se bashkëshorti e dhunonte prej kohësh, ndërsa nuk ka guxuar ta denoncoje për shkak të frikës.

Denoncimi u bë sot prej saj në uniformat blu, ndërsa bashkëshorti Fatos Mulla u shoqërua në komisariat për të dhënë deklaratën e tij dhe për tu përballur me veprën penale që do të përcaktohet nga prokurori i gatshëm.

Shkak për shtyrjen është një motiv banal, një gotë vaji siç thuhet nga ana e të dhunuarës. Përgjatë këtyre ditëve, bashkëshorti nuk e ka lejuar të kontaktojë më familjarët e saj ndërsa bëhet me dije se vajza e vetme e çiftit jeton prej vitesh në Itali.

Ndërkaq bluzat e bardha konfirmojnë se për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet 55 vjeçarja, mund ta ketë të pamundur përdorimin e këmbës së djathtë.

Ndërkohë bashkëshorti ka mohuar në polici akuzat e ngritura nga gruaja. Ai ka thënë se i shërben, e ndihmon, dhe ajo është rrëzuar vetë, pra nuk e ka shtyrë ai. Ndër të tjera thotë që e çoi edhe në spital, dhe nuk ka arsye për ta dhunuar. Sipas policisë, hetimet do të vijojnë për veprën penale të “dhunës në familje”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!