E priti vendimin bashkë me kolegët e PD-së, shtyhet seanca për Ervin Salianjin, deputeti: Maxhoranca po bën presion

schedule11:23 - 17 Tetor, 2022

schedule 11:23 - 17 Tetor, 2022

Është shtyrë në Gjykatën e Apelit seanca për dosjen “Babale”.  Seanca e radhës do të mbahet më 9 nëntor, në orën 14.00.

Në reagimin e tij për mediat pas vendimit të shtyrjes, deputeti demokrat Ervin Salianji u shpreh se edhe sot u gjet një arsye për t’u bërë shkak shtyrjeje. Salianji kërkoi që drejtësia të jetë e vendosur më e shpejtë.

“Edhe sot u gjet një arsye, nga ai që është bërë sebepi i akuzës, për ta shtyrë përsëri seancën gjyqësore. Në publik ai që ka bërë akuzën dhe për të cilën unë jam në gjykatë ka shkuar të bëjë burgimin. Prokuroria atë rast nuk ka bërë hetime për drogën dhe ka ngritur një akuzë qesharake për mua. Drejtësia duhet të vazhdonte me shpejtësi, nuk është e domosdoshme të jetë avokati i palës. Pa diskutim që publiku pret ashtu si edhe ne drejtësi të shpejtë. Sa i përket atyre që thonë prezenca e deputetëve është presion unë them që përkundrazi, është inkurajim për drejtësinë, që të mos ketë ndikim politik dhe të ketë drejtësi. Mazhoranca përkundrazi bën presion siç ka bërë edhe në këtë rast”, u shpreh ai.

Kujtojmë se deputeti Ervin Salianji e priti vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë me kolegët e tij të Partisë Demokratike. Ditën e sotme pritej që në në Gjykatën e Apelit në Tiranë të jepej vendimi për dosjen “Babale”.

Edhe kësaj radhe, duket se deputetët demokratë e kanë lënë pas “ndarjen” dhe janë mbledhur për t’i qëndruar pranë Salianjit i cili mund të rrezikojë edhe burgun.  Ai u shpall fajtor për veprën penale “kallëzim i rremë” në lidhje me çështjen “Babale”.

Në pamjet e siguruara nga një bar kafe pranë gjykatës mund të shihet se të pranishëm janë Luçiano Boçi, Luan Baçi, Agron Gjekmarkaj, Gazment Bardhi, Saimir Korreshi, Arbi Agalliu e të tjerë.

Kujtojmë se çështja në fjalë u çua në Apel nga edhe nga gazetari Jetmir Olldashi i cili u dënua me 6 muaj burg, të cilat iu konvertuan në 100 orë shërbim komuniteti.

Nëse Apeli do të konfirmojë vendimin e Shkallës së Parë atëherë deputeti Salianji, rrezikon burgun. Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi u shpallën fajtorë nën akuzën e ‘kallëzimit të rremë’ lidhur me inskenimin e audio-përgjimit me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në trafikun e drogës. Gjykata Penale vendosi 1 vit burgim për deputetin demokrat me akuzën e kallëzimit të rremë kryer në bashkëpunim.  /abcnews.al/