E përditshmja holandeze: Tirana, qyteti më modern në Ballkan

schedule11:56 - 28 Maj, 2018

schedule 11:56 - 28 Maj, 2018

Në një artikull të gjatë e përditshmja prestigjoze holandeze në versionin e saj të shtypur, e cilëson kryeqytetin tonë si qytetin më modern në Ballkan. Një nga pikat më të forta të kryeqytetit, sipas autores, është pikërisht rinovimi i Pazarit të Ri.

“Tirana është kthyer në qytetin më modern në Ballkan”.

Me këtë përcaktim nis artikullin e saj të gjatë e përditshmja holandeze “De Telegraaf”. Autorja e reportazhit ndër të tjera shkruan se teksa shëtit nëpër qytet të bëjnë përshtypje ndërtesat e lyera me ngjyra dhe atmosfera e relaksuar në kafenetë dhe restorantet trendi. Por, pjesa më e jashtëzakonshme, sipas saj, është tregu i rinovuar, Pazari i Ri.

Duke perifrazuar copëza të bisedës me kryebashkiakun Veliaj, autorja thekson se në muajin Prill, ai u vlerësua nga Komisioni Europian me një çmim për projektin e tij për t’i siguruar një strehim të përshtatshëm minoritetit rom në qytetin e tij dhe për të arsimuar fëmijët e tyre.

Vendi është po ashtu i njohur për mënyrën paqësore sesi bashkëjetojnë besimet e ndryshme, shkruhet më tej. Krahas xhamive, kishave katolike dhe ortodokse, Tirana është edhe shtëpia e qendrës botërore të urdhërit sufi të Bektashinjve, të cilët u detyruan të largohen nga Turqia./abcnews.al