Kategoria e Parë nuk ka ndalur pavarësisht ndeshjeve të kombëtareve dhe sot luhen tre ndeshje në Grupin B, teksa në fushë zbresin kryesuesit e renditjes. Egnatia e vendit të parë shkon në Berat për të sfiduar Tomorin në një ndeshje, që do tregojë shumë mbi fatet e sezonit.
Në rast të fitores së skuadrës nga Rrogozhina, shkëputja me ndjekësin shkon 9 pikë, duke krijuar një distancë të madhe ndërsa nëse beratasit arrijnë të thyejnë Egnatian, gara bëhet e fortë dhe rihapet gara për një vend në Kategorinë Superiore të vitit të ardhshëm.
Një ndeshje gjithashtu interesante është edhe ajo mes Pogradecit dhe Turbinës. Liqenorët e kanë detyrim fitoren sot për të synuar parakalimin e Tomorit. Ndërkohë, në Librazhd Besa ka detyrën e lehtë të mposhtë Elbasanin. “Tigrat” numërojnë vetëm një pikë këtë sezon.
Luhet gjithashtu edhe në Kategorinë e Dytë, aty ku Shkumbini luan ndaj Mirditës së fundit në grupin A. Luzi 2008 sfidon Ilirinë, ndërsa Sopoti shkon të përballet me Gramshin. Të gjitha ndeshjet e e sotme në të Parën dhe të Dytën janë planifikuar të nisin në 13:30. /abcnews.al