E paprecedentë: Kaos te Partizani, goditet rumuni Deian Boldor

schedule09:36 - 10 Korrik, 2020

schedule 09:36 - 10 Korrik, 2020

Situata te Partizani përpara ndeshjes derbi kundër Tiranës është shumë e keqe. Kaos, panik, lojtarë të infektuar nga COVID-19 dhe përplasje mes tyre. Deian Boldor dhe Besnik Ferati u goditën nga koronavirusi, çka ndikoi që të gjithë “Demat e Kuq” t’i nënshtroheshin tamponëve.

Përgjigjet dolën në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme dhe tre lojtarë të tjerë, të cilët janë asimptomatikë, kanë rezultuar pozitivë: Erald Çinari, Esat Mala dhe Kristi Kote. Njëri prej tre lojtarëve nuk e përballuar tronditjen e pësuar.

Gishti është drejtuar nga Deian Boldor (edhe motra e tij është e infektuar), i cili cilësohet si personi që ka përhapur koronavirusin te kampionët në fuqi të Partizanit. Panorama Sport zbulon ngjarjen dhe raporton se njëri prej lojtarëve të prekur, ka debatuar ashpër me mbrojtësin rumun në një bisedë telefonike.

Diçka e tillë nuk e ka qetësuar dhe, së bashku me dy lojtarë të tjerë të ekipit kryeqytetas, lojtari i prekur, i cili është shkodrani Erald Çinari, ka zbarkuar poshtë shtëpisë së Boldor. Ky i fundit, në karantinë prej pak ditësh, ka dalë jashtë dhe tensioni nuk ka munguar.

Debati ka degjeneruar në përdorimin e forcës, teksa rumuni është goditur me një send të fortë. Motra e tij, e alarmuar nga skena, ka filluar të ulërasë dhe banorët kanë lajmëruar policinë. Në pallatin e 25-vjeçarit ka ardhur edhe një ambulancë, që ka transportuar lojtarin defensiv në spital.

Një moment shumë i keq në skuadrën e Partizanit, që mund të ketë pasoja negative për derbin e sotëm (zhvillimi i ndeshjes është konfirmuar nga FSHF). Përballë është Tirana kryesuese, duel që nis në orën 20:45 (Air Albania). /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!