Ermal Meta ka humbur një nga një njerëzit më të rëndësishëm të jetës së tij. Bëhet fjalë për mësuen, e cila e frymëzoi për këngën “Vietato Morire”.
Lajmin e trishtë e ka dhënë vetë këngëtari përmes një postimi në Instagram, duke treguar se mësuesja e tij e shkollës fillore, Margarita Feka, është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare.
Ai ka postuar një foto të vjetër nga shkolla, ku shfaqet së bashku me shokët e tij të klasës dhe në mes të tyre mësuesja e ndjerë. Ermali tregon se i kishte premtuar mësueses se do e vizitonte këtë verë, duke qenë se do të mbajë dhe një koncert në Shqipëri.
“Mësuese Margarita nuk është më. Kisha premtuar që ta vizitoja një ditë pas koncertit që do të bëj në Shqipëri këtë verë. Do kisha dashur ta përqafoja dhe ta falënderoja. Jam i sigurt se do të kisha gjetur të njëjtin shikim të ëmbël që gjeja sa herë që hyja në klasë dhe të mos mundem ta bëj më këtë gjë më dhemb. Përshëndetje mësuese, fëmijët e tu të përshëndesin dhe unë të falënderoj për të gjitha përkëdheljet e tua në secilën prej plagëve të mia”, shkruan Ermali.
View this post on Instagram
Margarita Feka ishte mësuesja e tij në shkollën artistike “Jakov Xoxa” në Fier. Pas debutimit të Ermal Metës në Sanremo ajo ishte shprehur e emocionuar dhe e prekur dhe se e mbante mend mirë nxënësin e saj.
“Megjithëse isha shtrirë, dëgjova që thanë se do të këndonte Ermal Meta. Unë u çova menjëherë. E kisha emër të dëgjuar dhe nisa të përqendrohesha. Menjëherë i thashë djalit se ai ishte ish-nxënësi im.
Të nesërmen më mori mbesa nga Shkodra. Më tha ta dëgjoja këngën me vëmendje, e të m’i përkthente fjalët daja (djali) sepse aty përmendej emri im. Kur e dëgjova u preka shumë, tej mase. Mendova, ky fëmijë kaq i vogël, i ikur kaq vite larg. Ka kaluar shumë mësuese të tjera, si nuk e harroi emrin tim?”, ishte shprehur dikur ajo./abcnews.al