Prokurorja Rovena Gashi padit në Gjykatën Administrative Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku. Përmes padisë Gashi kërkon pezullimin dhe konstatimin e pavlefshëm të urdhrit të Markut, që e liroi atë nga detyra e Drejtoreshës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe të shefes së “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme.
Prokurorja e Prokurorisë së Përgjithshme, Rovena Gashi, zgjedh të përballet në gjykatë me eproren e saj, kryeprokuroren e përkohshme, Arta Marku. Gashi ka depozituar një padi në Gjykatën Administrative kundër urdhrit të titullares Marku, për lirimin e saj nga detyra e Drejtoreshës së Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe e asaj te shefes së strukturës së “Dekriminalizimit”.
Gashi kërkon nga Gjykata pezullimin edhe konstatimin e pavlefshmërisë absolute të urdhërit Prokurorit të Pergjithshëm të Përkohshëm që e liroi nga këto pozicione.
Sipas paditësës, kryeprokurorja Marku ka firmosur lirimin e saj për shkak të kërkesës së drejtuar nga Gashi Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për heqjen e mandatit të deputetëve Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica.
Prokurorja Gashi pretendon se urdhri i Arta Markut nuk bazohet në asnjë dispozitë ligjore dhe jashtë kompetencave të saj. “Rovena Gashi është shkarkuar me argumentimin e ndryshimit të strukturës, ndërkohë që, të paktën deri në dorëzimin e padisë, kryeprokurorja e përkohshme nuk ka firmosur asnjë urdhër për ndryshimin e strukturës”, argumentohej në padi. Më tej prokurorja Gashi pretendon se urdhri i Markut është i paarsyetuar dhe se mungesa e këtij arsyetimi e bën aktin administrativ absolutisht të pavlerfshëm. Padia në fjalë është regjistruar në kryesekretarinë e Gjykatës Administrative Tiranë, kur pritet t’i nënshtrohet shortit dhe më pas gjykimit./abcnews.al