E konsiderojnë historike, FSHF marrëveshje me Universitetin e Sporteve

schedule13:14 - 22 Janar, 2021

schedule 13:14 - 22 Janar, 2021

Federata Shqiptare e Futbollit firmos marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Sporteve të Tiranës. Kjo marrëveshje e lidhur mes dy prej institucioneve më të rëndësishme të sportit në vend, ka si objekt bashkëpunimin e palëve në aktivitetet sportive dhe veprimtaritë kualifikuese dhe trajnuese të organizuara nga FSHF dhe UST, duke kontribuar me të gjithë kapacitetin infrastrukturor, bazën materiale dhe burimet njerëzore të disponueshme.

Federata Shqiptare e Futbollit jo vetëm do të bashkëpunojë me stafin akademik në trajnime dhe kualifikime të ndryshme, por do të organizojë edhe praktika profesionale për studentët, në bazë të propozimeve të Universitetit. Gjithashtu, në bashkëpunim me UST-në, do të realizohen investime të përbashkëta në terrene sportive, si dhe do të pasqyrohen të dhënat e Federatës dhe mundësitë për trajnime apo punësime pranë organizatës së futbollit.

Të pranishëm në ceremoninë që u zhvillua sot në ambientet e stadiumit kombëtar “Air Albania” ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Rektori i UST-së, Agron Kasa, përfaqësues të Universitetit të Sporteve dhe Federatës së Futbollit. Duke marrë fjalën në nisje të aktivitetit Presidenti Duka tha se kjo marrëveshje është fryt i një pune apo i iniciativës së vetë Rektorit Kasa dhe foli për një projekt të ri, që mbështet ose financon kërkimet shkencore të stafeve akademike.

 

“Kjo ceremoni e firmosjes së kësaj marrëveshjeje është fryt i një punë apo i iniciativës së vetë rektorit, të cilin dua ta falënderoj për vizionin e tij dhe hapjen e universitetit që do t’i shërbejë si sportit edhe studentëve. Së fundmi ne kemi iniciuar edhe një projekt të ri, i cili mbështet ose financon kërkimet shkencore të stafeve akademike.

Për këtë ne kemi shpallur projektin, kemi kërkuar aplikime dhe nëpërmjet kësaj ceremonie i ftoj edhe një herë të gjithë stafet akademike, jo vetëm të Universitetit të Sporteve, por të të gjitha Universiteteve për të aplikuar në këtë projekt të Federatës së Futbollit në bashkëpunim me UEFA-n, i cili konsiston në financimin e këtyre studimeve apo kërkimeve shkencore deri në vlerat 20.000 euro.

Unë besoj se të gjitha këto do t’i shërbejnë zhvillimit të shoqërisë në përgjithësi dhe sportit në veçanti”, – u shpreh kreu i qeverisë së futbollit, teksa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy institucioneve dhe zhvillimet pozitive që do të ketë në drejtim të sportit.

 

“Për ne është një ditë shumë e rëndësishme sot. Firmosja e aktit të kësaj marrëveshjeje është fryt i punës së ekspertëve, i diskutimeve, e cila konsiston në bashkëpunimin, shfrytëzimin e të gjitha pajisjeve apo laboratorëve që ka Universiteti i Sporteve në shërbim të ekipeve të futbollit, trajnerëve të futbollit; në futjen e lëndëve të ndryshme apo kurrikulës në Universitetin e Sporteve.

Do të fillojë me një master për video-analistë së shpejti dhe do të shoqërohet edhe me programe të tjera në UST. Kjo marrëveshje parashikon edhe një bashkëpunim në përmirësimin e infrastrukturës në Universitetin e Sporteve, nëpërmjet fondeve të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe donatorëve tanë, FIFA dhe UEFA dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Edhe njëherë falënderoj Rektorin Kasa, falënderoj stafin akademik për kontributin dhe gjithë bashkëpunimin dhe për klimën shumë të mirë të krijuar së fundmi në marrëdhëniet me Federatën e Futbollit dhe me sportin në përgjithësi. Duke ju uruar sukses në punën tuaj dhe duke ju uruar që të përfundojë sa më parë kjo pandemi, pasi kjo ceremoni mbase duhet të ishte me më shumë njerëz, me më shumë media dhe t’i rikthehemi sa më parë normalitetit dhe të kemi aktivitete sa më normale, jo vetëm të tilla por edhe sportive”, – tha Presidenti i FSHF-së në fjalën e tij.

 

Ndërkaq, edhe Rektori i Universitetit të Sporteve të Tiranës theksoi në fjalën e tij se kjo është marrëveshja më e rëndësishme që ai ka firmosur që nga dita kur është dekretuar si Rektor. “Duke përfaqësuar Universitetin e Sportit, sinqerisht për të gjithë pjesëmarrësit, por veçanërisht për ju, dua t’ju them që kjo është marrëveshja më e rëndësishme që kemi arritur të firmosim që nga dita që unë jam dekretuar si Rektor.

Ndihem i plotësuar sepse ka qenë një angazhim i kahershëm, ka qenë një objektiv i shumë kohëve më përpara, në mënyrë që marrëdhënia midis Universitetit të Sporteve dhe Federatës së Futbollit duhet të kalonte nëpërmjet një procesi jo vetëm të zyrtarizuar, që kemi ardhur në vigjilje të saj tani, por të një bashkëpunimi, ashtu sikurse edhe ju cituat më lart elementët kryesorë që kjo marrëveshje do të ketë.

Kur kemi bërë takimin e parë në Universitet, ne ramë dakord që në Universitetin e Sporteve do të realizohet një master profesional për trajnerin atletik (trajnerin e përgatitjes fizike) dhe kemi punuar intensivisht. Është futur pjesë e këtij masteri dhe kur të vijë momenti që të fillojë të aplikohet do të jetë pikërisht Federata e Futbollit që do të jetë pjesë e dhënies së këtyre leksioneve, praktikave, seminareve, ashtu siç e keni konceptuar ju.

Nga kjo pikëpamje gjykojmë që kemi arritur suksesin e parë të marrëveshjes dhe të marrëdhënieve. Ky master nuk është vetëm thjesht një master për trajnerët, por ky është edhe masteri që do të bashkojë në një produkt të përbashkët të gjithë trajnerët dhe specialistët e FSHF-së me stafin akademik të UST-së. Këta që do të vijnë duke përfaqësuar Federatën e Futbollit do të jenë trajnerët italianë që ju keni përfshirë në këtë kurs, mund të jenë trajnerët dhe specialistët që ju keni, është e drejta juaj që po bëjmë një bashkim, që në këndvështrimin tim, në US, që prej 60 vitesh që është krijuar, nuk ka ndodhur ndonjëherë.

Kjo është risi jo vetëm si koncept por edhe si bashkëpunim. Unë ju falënderoj për të gjitha fjalët që thatë, për të gjithë angazhimet që keni marrë, mbështetjen që na keni dhënë deri tani sepse vetëm prezenca juaj në krah të procesit të zhvillimit dhe përmirësimit të Universitetit të Sporteve është një sukses i madh për Universitetin tonë. Ju falënderoj dhe i uroj suksese Federatës dhe gjithë stafit që do të punojë për realizimin e këtij procesi. Faleminderit!”, – tha Rektori i UST-së, Agron Kasa në fjalën e tij. /fshf.org