E konfirmuar/ Kukësi merr Telushin: Partizani nuk më kishte në plane!

schedule12:41 - 10 Gusht, 2020

schedule 12:41 - 10 Gusht, 2020

Bruno Telushi largohet nga Partizani, ndërkohë që do të bashkohet me Kukësin në fazë përgatitore. Emri i tij është në listën e verilindorëve dhe pritet të zyrtarizohet nga klubi i ri. Vetë Telushi ka menduar të sqarojë tifozët e kuq për largimin e tij dhe e thotë hapur që nuk e kishin në plane dhe se po ikën i pavlerësuar për atë që ka dhënë në fushën e lojës.

“Dua të bej publike se nga dita e sotme nuk do jem më pjesë e projektit të Partizanit. Siç e dini, kontrata ime kishte përfunduar në muajin maj. Gjatë gjithë kësaj kohe kam pritur me padurim dhe me dëshirën e madhe të jem pjesë e Partizanit.

Dje me në fund në një takim me drejtorin dhe me presidentin, më tha se nuk jam në planet për të ardhmen. Që nga dita e parë që kam veshur fanellën e Partizanit dhe deri më sot kam qenë besnik dhe jam stërvitur dhe luajtur me të gjitha mundësitë e mia për atë fanellë dhe për ato tifozë.

Me keqardhje po largohem jo i vlerësuar për atë që unë kam dhënë në fushë. Po largohem si kampion. Jam profesionist dhe do shikoj sfida të tjera. Në çdo ekip që do shkoj do punoj me të njëjtin përkushtim.

Dua të falënderoj shokët e ekipit, trajnerët me të cilët punova, tifozët e mrekullueshëm dhe të gjithë dashamirësit e mi. Me shume respekt”, shkruan Telushi në llogarinë e tij në “Facebook”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!