Kylian Mbappe është një nga lojtarët më të mirë që ka tërhequr vëmendjen e të gjitha klubeve, ndërsa vazhdon shkëlqimin e tij te PSG.
Sezonin e ardhshëm me shumë siguri do ta shikojmë teksa mban veshur fanellën e Real Madrid dhe të zbresë në “Santiago Bernabeu”.
Për sulmuesin francez, ish-trajneri i njohur i Arsenalit, Arsene Wenger ka theksuar se Mbappe është më i mirë se Erling Haaland, ndërsa nuk ka nguruar ta krahasojë yllin e PSG edhe me një legjendë botërore sicc është Pele.
“Mbappe është një lojtar të cilin e ke të pamundur ta ndalësh, këtë e vërtetoi edhe kundër Real Madrid. Për momentin është më i fortë se Haaland, nëse shohim numrat e tij apo atë që ka fituar me kombëtaren dhe kuptojmë se është vetëm 23 vjeç atëherë do të thotë se është diçka e jashtëzakonshme.
Pasuesi i Messit dhe Ronaldos? Po, është numri një. Edhe pse kur e kam parë për herë të parë të luajë, kam thënë se kemi përballë Pelen e ri dhe të gjithë menduan se unë isha i çmendur. Por, ai është duke arritur një nivel shumë të lartë. Është i shkëlqyer dhe ka shumë fantazi, jo vetëm shpejtësi. Është inteligjent, ka teknikë dhe e gjen shumë mirë kohën për të sulmuar, di t’i lexojë shumë shpejt situatat e lojës, Mbappe është një shpirt i lirë”, u shpreh Wenger. /f.a/abcnews.al