Vendi ynë gjatë kësaj fillim jave dhe deri në mesditën e së mërkurës do të mbetet me kthjellime dhe më pas pritet që të vijë një sistem me vranësira fillimisht në zonat veriore dhe gradualisht do të përfshijë të gjithë vendin.
Sipas meteorologes, Adiola Bami, gjatë ditës së mërkurë priten rrebeshe afatshkurtra shiu në zonat veriore dhe pjesërisht në qendër të vendit tonë. Ndërsa, e enjtja do të sjellë rrebeshe afatshkurta shiu thuajse në të gjithë territorin shqiptar.
E premtja dhe fundjave sjellin përmirësim të kushteve të motit duke na rikthyer kthjellimet.
Për sa i përket temperaturave të ajrit, ato do të mbeten të larta gjatë kësaj fillim jave ndërsa vlerat termike do të shënojnë deri në 37 gradë Celsius. E mërkura do të sjellë një rënie me dy gradë, që do të vijojë deri në ditën e enjte duke bërë që termometri të zbresë deri në 33 gradë Celsius.
E premtja dhe fundjava do të sjellin një rritje të lehtë të vlerave termike. Për sa i përket parametrit të erës, herë pas here do të jetë e fortë, jo vetëm në det të hapur por edhe në ultësirën perëndimore.
Për sa i përket kushteve të motit në vendet e rajonit, fillimi i javës paraqitet me mot të qëndrueshëm, por duke filluar nga e marta në pasdite dhe në vijim deri ditën e enjte, presim që herë pas here të kemi zhvillim të vranësirave në Republikën e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut duke sjellë rrebeshe afatshkurtra shiu. Kjo do të sjellë edhe rënien e temperaturave të ajrit duke bërë që gjatë mesjavës, termometri të zbresë në 29-30 gradë celsius. Fundjava përmirëson kushtet e motit edhe në vendet e rajonit. /abcnews.al/