Një pengmarrje si në filma ka ndodhur sëfundmi në Tiranë ku dy persona kanë futur fillimisht me forcë në makinë një 23 vjeçar nga Maqedonia duke i kërkuar 250 mijë euro pasi i kishin vënë pistoletën në kokë.
Burime zyrtare bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur gjatë ditëve të fundit në lagjen “Ali Demi” pranë Kryegjyshatës Bektashiane ku dy persona, një 41 vjeçar dhe një 42 vjeçar fillimisht futen me forcë në makinë 23 vjeçarin nga Maqedonia Davor Velefski.
Pasi e kanë futur në makinë ata i kanë vendosur pistoletën në kokë duke i kërkuar 250 mijë euro.
Dalin pamjet e operacionit: Si e shpëtoi policia maqedonasin që u mor peng për 250 mijë euro në Tiranë
Pasi është informuar për ngjarjen, policia është vënë në ndjekje të personave duke i arrestuar. Njëri prej tyre tentoi të largohej në këmbë me vrap, por pas një ndjekjeje të shkurtër efektivët e policisë kanë mundur ta kapin.
Të arrestuarit janë Abert Xhoka dhe Sokol Masha, të cilët tani akuzohen për veprat penale “Heqje e padrejtë e lirisë” dhe “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Atat hodhën poshtë akuzat pasi pretendonin se nuk ishte pengmarrje por se 23 vjeçarit i kishin bërë presion për kthimin e një borxhi.
Nga policia është proceduar dhe shtetasi tjetër maqedonas Subi Ethemi për moskallëzim krimi.
Njoftimi i policisë
Tiranë
Goditet një rast i heqjes së padrejtë të lirisë dhe shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Lake”.
Vihen në pranga dy shtetas dhe një tjetër procedohet në gjendje të lirë.
Forca e Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr.1, në sajë të informacioneve të marra në rrugë operative, zhvilluan operacionin policor të koduar “Lake” si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Heqje e padrejtë e lirisë” dhe “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, shtetasit:
– A. Xh., 41 vjeç, dhe S. M., 42 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzim krimi”, shtetasi: S. E., 50 vjeç, lindur dhe banues në Strugë/Maqedoni.
Këta tre shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë hequr lirinë shtetasit maqedonas D. V., 23 vjeç dhe nën kërcënimin e armës i kanë kërkuar një shumë prej 250 000 eurosh.
Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.