Policia e Shkodrës ka zbuluar në një magazinë 16 pajisje elektronike që shërbenin për gjenerimin e kriptomonedhave virtuale, me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Poseduesi i pajisjeve është shpallur në kërkim, ndërsa policia ka mundur të arrestojë bashkëpunëtorin.
Nën hetim është një punonjës i OSHEE-së, për shpërdorim detyre.
Në kuadër të operacionit “Avalon” u shpall në kërkim J. M., 21 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”; “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”, kryer në bashkëpunim; “Fshehja e të ardhurave”; “Ushtrimi pa licencë i aktivitetit tregtar” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Gjatë kontrollit në magazinë janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 16 pajisje elektronike, të cilat shërbenin për gjenerimin në mënyrë të jashtëligjshme të kriptomonedhave dhe dyshohet se përdoreshin nga 21-vjeçari.
Gjithashtu, si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi:
-E. M., 43 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, e kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin J. M., kryenin veprimtarinë e kundërligjshme të prodhimit të kriptomonedhave virtuale.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. M., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Në vijim të këtij operacioni u procedua në gjendje të lirë shtetasi:
-F. B., 33 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë lexues i aparatit matës, në OSHEE Shkodër, për veprën penale “Shperdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se ky shtetas ka mundësuar furnizimin e pajisjeve që gjenerojnë kriptomonedha virtuale, me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme./abcnews.al/