Terrori në Tushemisht, arrestohet 52-vjeçari dhe 3 bashkëpunëtorët

schedule09:33 - 12 Gusht, 2020

schedule 09:33 - 12 Gusht, 2020

Policia ka arritur të vërë në pranga 4 persona, të akuzuar si të lidhur me ngjarjen në Tushemisht, ku u qëllua me armë ndaj një hoteli.

“ABC News” mëson se të arrestuar janë Ilir Berberi i cili sipas policisë dyshohet të ketë rolin e organizatorit të ngjarjeve të ndodhura pranë hotelit në Tushemisht.

Po ashtu janë arrestuar Ilir Meçolli, Ardian Xhuti dhe Elvir Haxhia.

Ndërsa dy ditë më parë u arrestua Mariglen Topuzi. Sakaq aktualisht janë në kërkim Meardi Berberi dhe Brian Syzo.

Lexo edhe: VIDEO/ Dy atentate brenda 7 ditëve, momenti kur dy persona qëllojnë në drejtim të hotelit në Pogradec

Ndërkohë janë sekuestruar një armë zjarri tip pistoletë, municion luftarak dhe rrobat e përdorura për të drejtuar motomjetin gjatë kryerjes së këtyre ngjarjeve.

Ndërkohë policia njofton se ende vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë ngjarje.

Pogradec/Informacion

Finalizohet operacioni policor i koduar “Driloni”.

Operacioni nga strukturat e DVP Korçë dhe forcat Renea, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit Pogradec, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për kapjen e autorëve të dyshuar të ngjarjeve të ndodhura pranë një hoteli në Tushemisht.

Lexo edhe: Terrori në Tushemisht, policia ndalon 1 person dhe shpall në kërkim 3 të tjerë

Gjatë operacionit, në pyllin e fshatit Vërdovë, Pogradec, në një çadër që kishte ngritur enkas për t’u strehuar, Policia kapi organizatorin e këtyre ngjarjeve, person me precedent të theksuar kriminal, i cili mbante dhe armë zjarri pistoletë me vete.

Gjithashtu kapen dhe arrestohen edhe 3 bashkëpunëtorë të tjerë të implikuar.

Dy ditë më parë u vu në pranga edhe një bashkëpunëtor tjetër.

Sekuestrohet një armë zjarri tip pistoletë, municion luftarak dhe rrobat e përdorura për të drejtuar motomjetin gjatë kryerjes së këtyre ngjarjeve.

Në vijim të punës intensive hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjeve të ndodhura më datë 01.08.2020 dhe 08.08.2020, pranë hotelit në pronësi të shtetasit J. M., në fshatin Tushemisht, strukturat e DVP Korçë dhe forcat Renea, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit Pogradec, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, finalizuan operacionin policor të koduar “Driloni”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasve:

  • I. B., 52 vjeç, banues në Pogradec (me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit, pronës dhe sigurisë publike).
  • I. M., 29 vjeç, A. Xh., 29 vjeç, banues në Zvezdë, Maliq dhe E. H., 32 vjeç, banues në Pojan, Maliq (i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”).

Ndaj shtetasit I. B., Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja për të mos kallëzuar”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Prishja e qetësisë publike” kryer në bashkëpunim”, për ngjarjen e ndodhur më datë 10.02.2020, në lagjen nr. 3 përpara Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, ku në bashkëpunim me shtetas të tjerë 52-vjeçari ka kanosur pronarin e hotelit për të mos dëshmuar në një seancë gjyqësore, si edhe kanë kundërshtuar punonjësit e policisë dhe IEVP gjatë kryerjes së detyrës.

Gjithashtu ky shtetas dyshohet të ketë rolin e organizatorit të ngjarjeve të ndodhura pranë hotelit, ku në bashkëpunim me tre personat e mësipërm dhe disa të tjerë, kanë kanosur me armë zjarri shtetasin J. M., si edhe kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të hotelit, duke i shkaktuar dëme materiale godinës dhe 7 mjeteve të parkuara.

Gjatë operacionit, shtetasit I. B. iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës një armë zjarri tip pistoletë dhe 59 fishekë që i posedonte pa leje.

Po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këto ngjarje.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!