Protokolli sanitar drejt miratimit, FSHF mbledh urgjentisht klubet e Superiores

schedule20:32 - 12 Maj, 2020

schedule 20:32 - 12 Maj, 2020

Futbolli drejt rikthimit. Takimi i sotëm i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me përfaqësuesit e FSHF ka qenë i nivelit teknik dhe palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët për Protokollin e Sigurisë, që vetëm zyrtarisht nuk është miratuar.

ABC News mëson se lojtarët nuk do t’u nënshtrohen testimeve për COVID-19. Stafet mjekësore të klubeve do t’i vëzhgojnë herë pas here. Para ndeshjeve do t’u matet temperatura, ndërkohë që në rast se dikush do të ketë shqetësime, atëherë do të duhet të duhet të bëjë një vetëdeklarim për gjendjen e tij.

TAKIMI I KLUBEVE – Pas takimit të sotëm, FSHF ka vendosur edhe për nëj takim mes klubeve të Superiores, ku do të bisedohet me shumë mundësi për plotësimin e kushteve për stërvitjet dhe ndeshjet.

“Federata Shqiptare e Futbollit do të zhvillojë ditën e nesërme një mbledhje me të gjithë Presidentët e Kategorisë Superiore për të diskutuar mbi opsionet e rifillimit të futbollit. Kjo mbledhje vjen pas punës së kryer nga stafi i FSHF për përgatitjet mbi rifillimin e garës futbollistike në vend.

Ekspertët mjekësorë të Federatës kanë përgatitur një protokoll mjekësor i cili është konsultuar me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në dy takimet e zhvilluara ditët e fundit”, njofton FSHF. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!