Ish-kryetari i bashkisë së Vorës Agim Kajmaku është shpallur në kërkim, pasi prokuroria ka firmosur urdhër-arrestin ndaj tij për 3 akuza.
Kajmaku akuzohet për falsifikim formularësh, shpërdorim detyre dhe ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës. Bëhet fjalë për shkarkimin e dy zv.kryetarëve, lajm publikuar nga “Abc News”. Të pyetur nga “Abc News”, deputetë socialistë kanë preferuar të heshtin.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tirane, ka lëshuar urdhër-arrestin për ish kryebashkiakun e Vorës Agim Kajmaku, për të cilin është caktuar nga gjykata masa e sigurisë arrest në burg në mungesë.
Polica ka ushtruar kontroll në banesës e ish-krye bashkiakut por nuk e ka gjetur në banesë, dhe për këtë arsye e ka shpallur në kërkim. Agim Kajmaku dyshohet për kryerjen e veprave penale, “shpërdorim detyre”, “falsifikimi i formularëve”, dhe “ushtrimi i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”.
Ish-kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku është shkarkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shkak se ka shkelur ligjin për dekriminalizimin duke mos deklaruar procedimin e hapur që ka pasur në shtetin Grek me emrin Jorgo Toto.
Ndërkohë pas publikimi të kronikës në “Abc News” më 1 nëntor, përpara se KQZ ta shkarkonte, Kajmaku ka shkuar në zyrën e tij, dhe ka shkarkuar dy nënkryetarët e bashkisë dhe në vend të tyre ka emëruar shefin e kabinetit të tij Gent Picari, ku dyshohet se ka falsifikuar datën e shkarkimit.
Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se në datën 6 nëntor ka dy dëshmitarë që kanë parë Agim Kajmakun duke u futur në Bashkinë e Vorës, ku sipas dëshmitarëve ka firmosur disa dokumente.
Të pyetur nga ABC News për vendimin e drejtësisë për Agim Kajmakun, Belinda Balluku e deleguar politike e PS-së në Bashkinë Vorë, nuk dha asnjë koment për çështjen, ndërsa deputeti i zonës, Sadi Vorpsi u shpreh se nuk e mbështeste shkarkimin e dy nënkryetarëve nga Kajmaku.
ABC News u përpoq ta kontaktojë por celulari i Agim Kajmakut rezulton i mbyllur.
KRONIKA E ABC NEWS MË DATË 7 N ËNTOR QË ZBULON SE ÇFARË NDODHI NË BASHKINË E VORËS
/abcnews.al