Presidenca ka reaguar ashpër pas sugjerimit të ambasadës amerikane që përplasja mes tyre dhe maxhorancës për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të dërgohet në “Komisionin e Venecias, një sugjerim i bërë më parë edhe nga ambasadori italian në Shqipëri, Alberto Cutillo.
Duket se reagimi është pikërisht për këtë të fundit, ku përmes një postimi në Facebook, Tedi Blushi, zëdhënësi i Presdidentit Meta e quan “ambasadori i Agaçit”.
“Tymi i Venecias që hodhi me porosi të Ramës, Ambasadori në ikje i Agaçit pak ditë më parë, është turpi më i fundit i grupit të strukturuar diplomatik në Tiranë, bashkëfajtor për dhunimin sistematik të Reformës në Drejtesi dhe me qëllim kapjen e saj të plotë nga Regjimi monist i Edi Ramës”, shkruan Blushi në Facebook.
Pak më parë, ambasada amerikane sugjeroi që përplasja ligjore të dërgohet për shqyrtim në Komisionin e Venecias, e cila të dalë në një konkluzion pasi palët në Shqipëri nuk mund të dalin në një përfundim për aq kohë sa kanë qendrime të ndryshme.
Reagimi i plotë
Garantët e veprimeve të paligjshme dhe mafioze të Dvoranit e kanë marrë mbrëmë përgjigjen zyrtare në një bisedë zyrtare tepër të përgjegjshme të Kryetarit të Shtetit.
Tymi i Venecias që hodhi me porosi të Ramës, Ambasadori në ikje i Agaçit pak ditë më parë, është turpi më i fundit i grupit të strukturuar diplomatik në Tiranë, bashkëfajtor për dhunimin sistematik të Reformës në Drejtesi dhe me qëllim kapjen e saj të plotë nga Regjimi monist i Edi Ramës.
Mjaft më “Rule of Embassy”. Është koha për “Rule of Laë” si çdo vend demokratik.
Rruga e Elbasanit të çon në Elbasan dhe Rama e përdor dhe për në Xibrakë!
Rruga e Kavajës të çon në Kavajë!
Vetëm rruga e Kushtetutës na çon në Europën e Bashkuar!