Masa të rrepta deri në qershor, Kuvendi miraton shtyrjen e gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore

schedule13:05 - 23 Prill, 2020

schedule 13:05 - 23 Prill, 2020

Kuvendi ka miratuar pak më parë shtyrjen e Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore deri më datë 23 qershor.

Me 91 pro, 5 kundër dhe 36 abstenim u miratua vendimi i qeverisë për shtyrë masat deri në fund të qershorit për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi.

Kërkesa e qeverisë për të shtyrë gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore deri në 23 qershor ka shkaktuar debate në radhët e opozitës, të cilët e kanë konsideruar si një masë të panevojshme dhe të pakoordinuar me ekspertët.

Seanca e sotme u shoqërua me akuza dhe kundër akuza mes deputetëve të pranishëm në sallë.

Deputetët e opozitës në sallë theksuan se qeveria po vepron pa patur një plan konkret për përballimin e situatës duke improvizuar, ndërsa Taulant Balla dhe deputetët e tjerë të PS theksuan se shtyrja është e nevojshme është në shërbim të një kontrolli më të plotë të situatës.

“Pse qeveria i ka kërkuar kuvendit zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme? Sot janë 29 raste të reja. Z. Gjoni ju thatë që nuk është ndonjë gjë e madhe se kemi 27 jetë të humbura, për mua edhe një jetë e humbur është fatkeqësi. Kur të keni mundësi bëjini një telefon kolegut Adriatik Alimadhi. Pyeteni si është të kalosh COVID-19 dhe pastaj hajde na shisni dëngla këtu.

Është një situatë e vështirë, një gjendje e vështirë. Ne iu shprehim ngushëllimet atyre familjeve që kanë humbur të dashurit, lutemi për ata që janë në gjendje të vështirë. Në këtë situatë kaq sfiduese, për qeverinë, për sistemin tonë shëndetësor gjej rastin t’i falënderoj për punën heroike gjatë këtyre javëve, një mirënjohje e ndjerë ndaj shprehjes së ndërgjegjes qytetare në nivele më të larta që kanë bërë mjekët, infermierët dhe pse ndonjëri u mundua të përdorte detyrën që pati misioni i parë në Itali.

Kolegë edhe këto masa të sotme që përfshihen në gjendjen e fatkeqësisë natyrore kanë në fakt mesazhin që jemi ende në një situatë delikat. Rreziku jemi më shumë ne njerëzit se sa virusi. Ne sot jemi rrezik potencial i vetvetes.

Sulmi i armikut padyshim që nuk na gjeti në befasi. Ne kemi kaluar për mrekulli këtë fazë të parë, nuk numërojmë dhjetëra të vdekur në ditë por shohim përditë se si kemi arritur të kemi një kurbë që është më në kontroll se në vendet e Europës. Nuk shohim të na mungojnë shtretërit e spitaleve, nuk kemi të humbur në radhët e bluzave të forta”, tha Balla në Kuvend.  /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!