Kamionin me kokainë e nxorën të pastër, pyeten punonjësit e skanerit dhe doganës Durrës

schedule13:15 - 6 Janar, 2022

schedule 13:15 - 6 Janar, 2022

Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje punonjësit e agjencisë doganore Durrës për sasinë prej 119 kg kokainë që u sekuestrua pak ditë më parë në një magazinë në Vaqarr në pronësi të kompanisë “Zico”.

Kamioni me banane pasi kaloi i pastër skanerin, ku nuk rezultoi se kishte ngarkesë kokaine brenda doli nga porti dhe u nis drejt Tiranës.

Shoferi denoncoi se iu bë pritë në rrugën e vjetër teksa po shkonte drejt magazinës për të shkarkuar. Kontenieri me banane vinte nga Ekuadori. Mes bananeve u gjetën të fshehura 119 kg kokainë, por gazetari Artan Hoxha deklaroi se në total sasia mund të ketë gati 2 ton.

Shoferi i kamionit, Hasan Salihu, i arrestuar për trafik droge, ka treguar përballë hetuesve se kishte shkuar në portin e Durrësit për të marrë kontejnerin me banane për llogari të firmës “Ziço Sh.a”.

Në kthim drejt kryeqytetit, rreth orës 17:30, në vendin e quajtur Romanat, 4 persona që u prezantuan si punonjës të policisë, i prenë rrugën dhe ushtruan kontroll në kamionin me banane.

Kur u larguan e kërcënuan që mos tregonte asgjë. Salihu ka deklaruar se pas kësaj ka vërejtur kutitë me banane që ishin të çrregullta si dhe gomat e mjetit ishin të rëna dhe për këtë kërkoi ndihmën e kolegut, Gëzim Kalaja.

Shoferi i kamionit pretendon se ishte shumë i frikësuar dhe nuk njoftoi policinë, por vuri në dijeni menaxherin e firmës, Marson Muratajn, ndërsa kamioni u transportua drejt magazinave në Vaqarr.

Ishte menaxheri që njoftoi pronarin e kompanisë, Trifon Murataj që jeton në SHBA, dhe ky i fundit më 29 dhjetor telefonoi drejtorin e përgjithshëm të policisë Gledis Nanon, për çfarë kishte ndodhur.

Nano njoftoi drejtorin e policisë kriminale dhe një ditë më pas, efektivët shkuan në magazinat e firmës në Vaqarr ku gjetën në 7 kuti me banane, sasinë prej 119 kg kokainë që ishte ndarë në 100 pako.

Gjykata ka lënë në burg, Hasan Salihun, Gëzim Kalanë dhe Marson Muratajn me akuzën e trafikut të drogës të kryer në bashkëpunim./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!