FOTO/ U vra sot në Astir, kush është Mihasi, mik i Vis Martinajt, lidhja me grabitjen në Tepelenë e armët në Yrshek

schedule20:17 - 13 Nëntor, 2021

schedule 20:17 - 13 Nëntor, 2021

Erigers Mihasi mbeti viktimë e atentatit të ndodhur mbrëmjen e sotme në zonën e Astirit. Ai ka qenë duke udhëtuar në automjetin e tij tip Audi A 8 me targa AB 008 EM, në momentin kur është bërë shënjestër e plumbave. Burime bëjnë me dije për ABC se atentatorët kanë qëlluar nga një automjet në lëvizje. Automjeti ishte në pronësi të Mihasit. Ai kishte personalizuar edhe targat me inicialet e tij “E M”.

Kush është Erigers Mihasi

Ai nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai njihej si mik i Ervis Martinajt. Tre vite më parë u shoqërua për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e ndodhur në lokalin Monopol, në ish-Bllok. Më herët ai është arrestuar edhe si person i dyshuar për grabitjen dhe torturimin e prindërve të Elton Çiços në Tepelenë, por gjykata e liroi nga qelia për mungesë provash.

Në qershor të vitit të kaluar Erigers Mihasi u shpall në kërkim nga policia në lidhje me arsenalin e armëve të gjetura në Yrshek në banesën e Gëzim Harokut. Sipas grupit hetimor armët ishin përdorur në një sërë ngjarjesh kriminale të ndodhura në kryeqytet, në Durrës, Sarandë dhe në Shkodër. Armët në banesën e Harokut, u gjetën pas hetimeve që efektivë të komisariatit numër 6 bënë lidhur me breshërinë e plumbave mbi kompleksin Eiffel në periferi të Tiranës më 15 qershor. Hetimet zbuluan se autorë të kësaj ngjarjeje ishin Gëzim Haroku dhe Erigers Mihasi.

Mihasi ishte mik i ngushtë edhe me Santiago Malkon, ish-policin e vrarë në Porcelan më 27 gusht 2019, me të cilin dyshohet se kanë qenë autor të plagosjes me armë ndaj kushërinjve Rivelino dhe Juxhin Mumajesi në Tiranë në 2018, ku nga sulmi mbeti i plagosur edhe shoku i tyre Ibrahim Durollari./Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!