Tashmë është zyrtare. Bisedimet për rinovimin e kontratës kishin nisur prej kohësh, por vetëm ditën e sotme është përmbyllur gjithçka me sukses. Mesfushori i Shqipërisë U21, Arbnor Muçoli, ka pranuar propozimin e Vejle BK.
Ai ka firmosur me klubin danez deri në verën e vitit 2023, çka është njoftuar nga Vejle BK përmes rrjeteve sociale. Rinovimi i kontratës me Muçolin konsiderohet si një dhuratë fundviti për tifozët. Jacob Kruger, drejtori teknik i danezëve, vlerëson maksimalisht mesfushorin dhe thekson se nëse vazhdon kështu, mund të kalojë në liga të tjera më të forta.
Vetë Muçoli, pasi ka nënshkruar ka thënë edhe fjalët e para: “E dua shumë këtë klub, e dua Velje. Këtu e kam vendin. Kemi një skuadër të fortë, ku mbizotëron harmonia. Gjithashtu kemi një trajner që dëshiron të luajmë futboll cilësor dhe që na frymëzon.
Tifozët po ashtu na mbështetin jashtëzakonisht shumë dhe për mua është krenari sa herë e vesh këtë fanellë. Do të bëj gjithçka kam, deri në pikën e fundit të fuqisë, që pas verës të luajmë në Superligë. Këtë e meriton qyteti, tifozët dhe ekipi”. /abcnews.al


