Arrestohet në Elbasan Ardian Çapja, shpallet në kërkim Florenc Çapja

schedule08:25 - 29 Mars, 2021

schedule 08:25 - 29 Mars, 2021

Policia e Elbasanit ka arrestuar Ardjan Çapjan, ndërsa ka shpallur në kërkim Florenc Çapja. Ata akuzohen se në vitin 2012 në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vrarë, Gentian Beqiri dhe Nezir Beqiri, babë e bir.

Arrestimi i Ardjan Çapjat është bërë mëngjesin e sotëm pas finalizimit të operacionit i koduar “Krasta 2021”.

Gjatë operacionit, në banesën e shtetasit Ardian Çopja, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov. Ata akuzohen për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Krasta 2021”.

Operacioni i zhvilluar nga RENEA, Drejtoria  Vendore e Policisë Elbasan dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Gjatë operacionit është vënë në pranga një person me precedent të theksuar kriminal, i dyshuar si një nga autorët e një vrasjeje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2012.

Sekuestrohet një armë zjarri kallashnikov.

Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, në bazë të informacioneve të grumbulluara nga strukturat hetimore të DVP Elbasan dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë, mëngjesin e sotëm, gjatë operacionit policor të koduar “Krasta 2021”, u bë ekzekutimi i urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan për shtetasin:

Ardian Çopja alias Çapja, 53 vjeç, banues në Elbasan.

Si dhe u shpall në kërkim shtetasi Florenc Çapja, 40 vjeç, banues në Elbasan.

Ndalimi i 53-vjeçarit dhe shpallja në kërkim e 40-vjeçarit u bë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Këta shtetas, në vitin 2012, dyshohet se në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, kanë vrarë me armë zjarri shtetasit Gentian Beqiri dhe Nezir Beqiri (babë e bir).

Gjatë operacionit, në banesën e shtetasit Ardian Çopja, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov.

Vijon puna nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokuroritë përkatëse, për zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale të ndodhura më parë, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e  autorëve.

g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!