“6 milionë lekë të vjedhura nga pensionet e qytetarëve”, arrestohet drejtori i postës dhe shefi i zyrës në Dibër, 1 në kërkim

schedule09:42 - 22 Korrik, 2022

schedule 09:42 - 22 Korrik, 2022

Me kërkesë së Prokurorisë së Dibrës është arrestuar drejtori i postës së këtij qyteti dhe shefi i zyrës Xhevdet Doda. Abc mëson se të dy akuzohen për shpërdorim detyre.

Prokurorja Xhoana Mehmetaj ka firmosur urdhër-arrestin edhe për punonjësin e postës Gazmir Hasi, i cili akuzohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe falsifikim dokumentesh.

Ky person sipas hetimeve ka vjedhur pensionet. Mësohet se shuma e vjedhur është rreth 6 milionë lekë të reja.

Gazmir Hasi ka mundur t’i shpëtojë policisë pasi ende nuk është arrestuar.

Dy shefat e tij, drejtori i postës dhe shefi i zyrës akuzohen se nuk e kanë pikasur vjedhjen edhe pse në dokumentacionet e plotësuara nga Hasi ka parregullsi.

Sipas hetimeve, ata kanë pasur dijeni për veprimet e vartësve të tyre.

E gjithë parregullsia, sipas veprimeve hetimore, dyshohet se ka ndodhur në periudhën janar-maj të këtij viti.

Njoftimi i policisë:

Dibër – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Delivery”.

Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër.

Ekzekutohen masat e sigurisë “Arrest në burg”, për 2 shtetas që shpërdoruan detyrën.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Delivery”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi dhe ekzekutimi i masave të sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit:

I. V., 64 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë kryetar i degës postare Dibër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”;

Xhevdet Doda, 64 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë kryetar i Zyrës së Shërbimeve dhe Marketingut në degën e Postës Shqiptare në Dibër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, i kanë shkaktuar degës postare Dibër, një dëm ekonomik në vlera të konsiderueshme monetare.

Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit Gazmir Hasi , 33 vjeç banues në njësinë administrative Kastriot, ish-punonjës i shërbimit postar në njësinë administrative Kastriot, Dibër, për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, pasi dyshohet se ka vjedhur masat e pensionit dhe të ndihmës ekonomike, si dhe ka falsifikuar mandat-pagesat duke firmosur në emër të përfituesve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/Abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!