E donin patjetër të vdekur, vrasja e Bledar Muçës, fqinjët: Njihej si “anglezi”, pashë një nga vrasësit

schedule10:01 - 24 Janar, 2022

schedule 10:01 - 24 Janar, 2022

Kundërshtarët e kanë dashur me patjetër të vdekur Bledar Muçën. Ky qëllim u arrit mbrëmjen e të shtunës pak para mesnatës, teksa ai po kthehej në banesën e tij në Belgjikë. Duke iu referuar mediave belge, ABC mëson se për eliminimin e Bledar Muçës, “hasmit” kanë pajtuar vrasës me pagesë, nisur kjo edhe nga mënyra që kanë kryer qitjen me përpikmëri. Në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhojë, ndërsa një plumb e ka kapur në kokë Bledar Muçën i cili ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Edhe pse në Shqipëri 39-vjeçari nga Elbasani i kishte shpëtuar 2 atentateve, në atentatin e të shtunës, porositësit u siguruan që të mos kishte asnjë gabim në ekzekutimin e tij.  Prokurori i Antëerp, Kristof Aerts shprehet se autorët kanë ditur çdo lëvizje të Bledar Muçës i cili sapo është afruar pranë banesës së tij rreth orës 23:00 të së shtunës është qëlluar me breshëri arme. Në atentat kanë marrë pjesë të paktën dy persona, një që ka kryer qitjen dhe një tjetër që ka ndihmuar në largimin e tij. Qitësit kanë mundur të largohen edhe pse shumë pranë vendit të ngjarjes ishte një Komisariat i Policisë. Mesa duket Bledar Muça i ruhej një sulmi ndaj tij, ndaj kishte zgjedhur edhe një vend sa më të sigurt pranë komisariatit për të jetuar prej të paktën një viti.

Në mediat belge janë publikuar edhe disa dëshmi të fqinjëve të cilët raportojnë se e njihnin si “anglez” viktimën, kjo për shkak se ai kishte shtetësi britanike. Një prej fqinjëve ka parë edhe njërin prej vrasësve, i cili është larguar teksa në dorë kishte armën.

“Pashë një nga autorët duke ikur me makinë. Mbante armë në dorë”, ka thënë fqinji.

Zona e Aartselaar njihet për luftën e ashpër mes klaneve të drogës që importohet nga Amerika e Jugut. Hetimet janë fokusuar pikërisht në pistat që e lidhin viktimën me pazaret e drogës, por edhe për larje hesapesh në Shqipëri.

Kush është Bledar Muça për autoritetet shqiptare?

Bledar Muça është emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai njihet për lidhjet e tij të ngushta me fisin Çapja në Elbasan dhe konsiderohet si krahu i djathtë i Ardjan dhë Florenc Çapjas.

Për herë të fundit në Shqipëri ai është arrestuar në maj të vitit 2020, pasi aksidentoi një polic burgu.

Sakaq, në vitin 2016 ndaj tij janë bërë dy atentate. Njëri në shkurt 2016, kurse tjetri në korrik të të njëjtit vit. Në atë të korrikut ai ishte objektiv  bashkë me Florenc Çapjan. Muça u plagos nga ai atentat, kurse Florenc Çapja nuk pësoi asgjë. Për atë atentat, policia shpalli në kërkim dhe arrestoi më vonë Shkëlzen Hasanpapajn.

Muça dyshohet se është përfshirë në shumë ngjarje të rënda në Elbasan, por ka mundur t’ia hedhë drejtësisë. Në verën e vitit 2016 ai u arrestua dhe u dënua me dy vite burg pasi qëlloi me armë ndaj efektivëve të policisë teksa ishin në vëzhgim të familjes Çapja pas atentatit të shkurtit. Muça u filmua nga kamerat e sigurisë me armë në dorë duke qëlluar ndaj policisë.

Emri i tij është i përfshirë edhe në vrasjen e vëllezërve Roland dhe Ilir Rexhepi, vrasje të ndodhura në kohë të ndryshme në qytetin e Elbasanit, por që asnjëherë nuk iu provuan nga policia dhe nga prokuroria. Madje emri i tij u shpall edhe në kërkim ndërkombëtar për vrasjen dy vite më vonë, të vëllait të Roland Rexhepit, ish-efektivi i policisë që njihej me pseudonimin “Doda”.

/abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!