Drejtori i përgjithshëm i fabrikës së qumështit “Vita”, Artan Spahija, ka reaguar ashpër pas vendimit të kompanisë për mbylljen e aktivitetit, duke akuzuar institucionet për presion ndaj prodhuesve vendorë.
Në një deklaratë publike, Spahija tha se inspektimet e zhvilluara nga Ministria e Bujqësisë janë të motivuara politikisht dhe akuzoi ministrin se po favorizon importin e qumështit nga Serbia në dëm të prodhimit vendas.
“Ministri më shumë e do Serbinë sesa neve. Do më shumë të hyjë qumështi prej Serbisë e Maqedonisë në Kosovë sesa qumështi i ‘Vitës’. Ne nuk jemi kriminelë. Do të dalim faqebardhë dhe nuk do të dorëzohemi”, deklaroi Spahija.
Ai u dha gjithashtu një mesazh punëtorëve të kompanisë, duke i siguruar se pagat e tyre do të paguhen dhe se “Vita” do të vazhdojë aktivitetin përmes produkteve të tjera.
“Nuk munden me na ndalë. Nuk ka mujt as Serbia me na ndalë. Ju mos keni merak, rrogat do t’jua qesim dhe ne nuk dorëzohemi”, u shpreh ai.
Sipas raportimeve, gjatë së enjtes Ministria e Bujqësisë dërgoi 25 inspektorë për një kontroll të paparalajmëruar në objektet e qumështores. Po ashtu, një zyrtar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar se inspektimi është kryer me urdhër të ministrit të Bujqësisë.
Autoritetet kanë argumentuar se veprimi lidhet me uljen e sasisë së prodhimit të qumështit nga kompania që nga 1 korriku, për shkak të mungesës së tregut. Nga ana tjetër, drejtuesit e “Vitës” e konsiderojnë këtë veprim si presion ndaj një prej prodhuesve më të mëdhenj vendorë.
Çështja ka nxitur reagime në opinion, ndërsa pritet që institucionet dhe kompania të sqarojnë më tej rrethanat e këtij rasti.



