Vetëm një ditë pasi presidenti francez Emmanuel Macron shpalli zgjedhjet e parakohshme pasi pësoi një disfatë dërrmuese në zgjedhjet europiane, dy forcat më të mëdha të ekstremit të djathtë të Francës filluan bisedimet për të shqyrtuar një aleancë të mundshme kundër tij.
Gara elektorale në Francë konsiderohet vendimtare si për të ardhmen e vendit në nivel kombëtar, ashtu edhe të Bashkimit Europian në tërësi.
Lëvizja e presidentit francez u karakterizua si me rrezikshmëri të lartë. Ai shpreson se do të jetë në gjendje të frenojë valën e forcave nacionaliste, anti-emigrante, të krahut të djathtë në zgjedhjet kombëtare.
Nga ana e tyre, kundërshtarët e tij politikë po shqyrtojnë mundësinë e formimit të një fronti të bashkuar kundër tij. Marion Marechal, kandidatja kryesore e partisë Reconquete në zgjedhjet europiane të së dielës, u takua të hënën, me kandidaten për presidente të Tubimit Kombëtar të ekstremit të djathtë dhe tezen e saj, Marine Le Pen, si dhe me kreun e partisë, Jordan Bardelal, për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit.
Marechal, një ish-deputete e Tubimit Kombëtar dhe mbesa e themeluesit të partisë Jean-Marie Le Pen, ia ktheu shpinën tezes së saj për t’u bashkuar me radhët e Reconquete, një parti e themeluar nga gazetari Eric Zemur, përpara zgjedhjeve presidenciale në 2022.
Megjithëse partia e saj është shumë më e vogël se Tubimi Kombëtar dhe të dielën sapo arriti të kalojë pragun minimal prej 5% për zgjedhjen e eurodeputetëve në Francë, ajo mund të luajë një rol vendimtar në zgjedhjet e ardhshme, veçanërisht me një rezultat jo përfundimtar që nuk do të garantojë një shumicë absolute për fituesin.
Në një intervistë televizive, Le Pen tha se do të zhvillonte takime me liderët politikë në një përpjekje për të “formuar një shumicë “, pa specifikuar nëse kishte arritur një marrëveshje me mbesën e saj.
Ndërkohë, e djathta ekstreme e Le Pen është partia më popullore e Francës përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, sipas një sondazhi të IFOP, me 36% të qytetarëve të anketuar që shpresojnë për një fitore.
/abcnews.al